Gjilanit nuk i kanë munguar vullnetmirët asnjëherë, por tani, në këtë kohë, kur edhe kjo komunë, sikurse i tërë vendi jonë, si edhe vendet tjera, po përballen me pandeminë, për shkak të përhapjes së virusit COVID-19, donatorët janë shtuar dhe ata po i japin vrullshëm krah institucioneve të angazhuar në luftimin e kësaj pandemie.
Ajo që bie në sy është se drejtuesit e komunës, më shumë se çdo herë më parë, kanë shfrytëzuar çdo rast të paraqitjes publike, por edhe në forma tjera për të falënderuar donatorët për ndihmën e ofruar në zbutjen dhe përballimin e situatës në të cilët ndodhet edhe Gjilanit.
Njëri ndër ta, që ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë të gjithë ata vullnetmirë është edhe nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, por i cili përveç në deklarimet e tija publike ka gjetur edhe një formë tjetër për t’i falënderuar ata dhe kjo është kapur nga aparati ynë, kur ai gjatë punës së tij ditore, me orar të stërzgjatur, kishte të veshur edhe një bluzë përplot emrash, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ishin këta emra të donatorëve të deritanishëm, që nënkryetari Ismajli kishte vendosur t’i falënderonte edhe në këtë mënyrë duke i mbajtur ata edhe në trup, përgjatë gjithë orarit të tij të punës në zyre e terren. Kështu, nënkryetari Ismajli përveç që është shprehur se donatorët që ndihmuan në këtë kohë do t’i ketë përherë në mendje dhe zemër, ai ka bërë edhe këtë veprim duke e bërë pjesë të trupit një fanellë me emrat e donatorëve që ndihmuan qytetarët, përmes institucionit të Komunës, përkatësisht Komitetit Emergjent i krijuar enkas për t’u koordinuar punët në luftën kundër koronavirusit.
I pyetur nga 2lONLINE.com, për këtë gjest të tij, nënkryetari Ismajli tha se kjo është një gjest i vogël falënderues sepse ata meritojnë shumë, dhe se bluza të tjera do t’i vesh edhe në ardhmen ku do të inkorporohen edhe donatorët e tjerë, pasi ata vazhdimisht po ofrohen te komiteti emergjent dhe po e japin ndihmën e tyre.
“Përpos që i kemi në mendje, donatorët që këto dy muaj kanë qenë me ne, tashmë kemi vendos me i mbajt edhe ne trup. Është falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në të gjitha format gjatë kësaj periudhe kohore”, ka thënë për Portalin 2LONLINE, nënkryetari Arbër Ismajli.