Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Rashit Qalaj priti komandantin e KFOR-it z. Lorenzo D’addario dhe komandantin e Regjimentit Karabinieri MSU (Multinational Specializated Unit) kolonelin Ruggiero Capodivento.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, z. Rashit QALAJ, falënderoi komandantin e KFOR-it z. Lorenzo D’ADDARIO si dhe Komandantin e MSU-së për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Policisë së Kosovës, qoftë me trajnime apo pajisje dhe aparatura të punës për njësi të ndryshme të PK-së.
Komandanti i KFOR-it tha se një nga detyrat e misionit të KFOR-it është edhe mbështetja e institucioneve të sigurisë, në veçanti për PK-në e cila është bartësja kryesore e sigurisë në Kosovë. Policimi efektiv është bazë për siguri dhe PK-ja është shembull në këtë aspekt.
Policia e Kosovës me këtë rast ka pranuar një donacion të pajisjeve nga MSU – Karabinieri të cilat do të shërbejnë për njësinë e Krim-teknikës (forenzikës) së Policisë së Kosovës. Këto pajisje do të rrisin edhe më tej nivelin e profesionalizmit të zyrtarëve të PK-së dhe do të ndihmojnë në kryerjen e detyrave me metoda më bashkëkohore.