Qendra “Don Bosko”, këtë vit vjen me risi, pasi Kolegji që funksionon brenda kësaj Qendra e që përfshin, shkollën e mesme të lartë, të mesme të ulët, këtë vit, nga 1 shtatori do të fillojë edhe me ciklin fillor, përkatësisht me klasat e para, të dyta dhe të treta.
Don Bledar Huba, drejtor i Qendrës “Don Bosko”, ka thënë për Portalin 2LONLINE, se nga ky vit do të startojnë edhe me ciklin fillor, pasi tani janë themeluar paralelet e para, për klasën e parë, dytë e tretë, për të cilën kjo qendër është akredituar, përkatësisht ka licencë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Don Bledar Huba ka bërë me dije, se ka pasur kërkesa në vazhdimësi nga prindërit që të startojmë edhe me klasat e para, ne i kemi marrë seriozisht këto kërkesa, është punuar në këtë drejtim për t’i plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara dhe tani po e jetësojmë këtë, pasi tani vetëm kemi bërë dy paralele të klasës së parë dhe nga një paralele, për klasën e dytë dhe të tretë.
Përndryshe, programi tjetër, vazhdon si zakonisht me klasat, VI – XII.
Përndryshe, Don Bledar Huba ka bërë me dije se edhe me staf janë të plotësuar për këtë cikël dhe vlerëson se çdo gjë do të shkojë siç është më së miri.
“Qëllimi i Qendrës “Don Bosko”, është që të krijohet në këtë qendër një pikë referimi për krejt qytetin e Gjilanit, për një edukim cilësor, qoftë në aspektin e mësimëdhënies, qoftë në aspektin e formimit njerëzor të nxënësve”, ka thënë Don Bledar Huba.
Qendra “Don Bosco” përfshin edhe Oratori – Qendra Rinore, e cila ofron aktivitete sportive dhe kulturore për fëmijët gjatë gjithë vitit. Në këtë vazhdë, edhe në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, kjo qendër ofron një aktivitet kulturoro-sportiv, që do organizohet nga data 21 e deri më 26 gusht.
Përgjatë kësaj periudhe gjashtë-ditore fëmijët pjesëmarrës do të sfidohen në lojëra të ndryshme sportive si dhe aktivitete kulturore. /2LONLINE/