Numri i 23 -të i revistës letrare – kulturore AGMIA, lirshëm mund të cilësohet si “Flakë e Agmisë skënderbegiane”.
E para se, manifestimet mbarëshqiptare në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, nisën në Gjilan, me Manifestimin Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit”.
Dhe, e dyta, revista letrare – kulturore AGMIA, si një përcjellëse besnike e “Flakës së Janarit”, pjesën e saj tematike ia kushton pikërisht këtij Përvjetori të Madh.
“Në vitin e Skënderbeut, për Skënderbeun” është cikli me gati gjysmën e hapësirës së këtij numri që i përkushtohet kryeheroit kombëtar – Skënderbeut, fill pas poezisë fituese të Manifestimit, “Nëse bota është e egër, Anja”, të autores nga Tirana, Entela Kasit.
Studjuesi i rryer i letërsisë sonë dhe romansieri i shquar, Anton Nikë Berisha sjell studimin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në përfytyrimin artistik të poetëve bashkëkohorë arbëreshë”, të cilin e pasojnë edhe dy vështrime kritike, ai i Nexhat Rexhës, “Skënderbeu në poezinë e Beqir Musliut” si dhe i Sherafedin Kadriut, ” Disa nga krijimet më të reja poetike për Skënderbeun, paraqitur në manifestimin ‘Flaka e Janarit’ – 2018″.
Pas këtyre tri vështrimeve letrare, të cilat shquhen për një mbarështrim shumë cilësor, pasojnë katër fragmente poetike të Beqir Musliut, marrë nga poema e tij “Skënderbeu” shkruar gjatë viteve 1963 – 1968 si dhe një serë krijimesh të reja letrare që u paraqitën në manifestimin “Flaka e Janarit” 2018, të cilat kryekëput i përkushtoheshin Skënderbeut, të autorëve: Ibrahim Kadriut, Prend Buzhalës.Sarë Gjergjit, Avni Rudakut, Nikollë Spatharit e Genta Sahitit.
Te cikli “Pena e Flakës”, publikohen krijimet poetike që u lexuan në Orën e madhe letrare të “Flakës së Janarit”, ose ishin pjesë e këtij manifestimit e cila njihet po me këtë titull cikli, nga autorët: Xheladin Rexhepi. Hajredin Kovaçi, Ramadan Mehmeti, Rozafë Shpuza, Kliton Nesturi, Ramë Oraça, Rakela Yzeiri, Zeqir Fazliu, Flamur Shala, Gani Neziri, Sinan Sadiku, Edonë Haliti, Bujar Salihu, Linditë Ramushi Dushku, Sadije Krasniqi, Adem Xheladini, Selvete Abdullahu, Sunaj Raimi dhe Njazi Ramadani.
Ndërsa, më pas, te cikli “Nga konkursi letrar”, paraqiten krijimet e shpërblyera të konkursit anonim letrar “Flaka e janarit” 2018, të autorëve: Afrim Demiri ( vendi i parë për poezi dhe për tregim), Sabit Gecaj ( vendi i dytë për poezi) Ana Kove ( vendi i dytë për tregim ), Agim Bajrami ( vendi i tretë për tregim) dhe Agim Bajrami ( Vendi i tretë për poezi).
Si rëndom, numri i kësaj reviste përmbyllet me kronikën e gjatë të veprimtarive të mbajtura gjatë këtij Manifestimi në Gjilan, e autorëve, Enver Sadiku e Muhamet Halili.
Të mos harrojmë se, në ballinën e këtij numri shpërfaqet dhe piktura e Sali Musliut, e cila fitoi Çmimin blerës të galerisë e që është dhe Çmimi kryesor i arteve pamore të këtij manifestimit.