Ka dalë nga shtypi libri “Zejtaria e Gjilanit (Gjysma e parë e shekullit XX)” i autorëve Aliriza Selmani dhe Faik Neziri.
Ky libër është fryt i punës së palodhshme të autorëve, Aliriza Selmani, magjistër i historisë, hulumtues i kahershëm i cili me decenie të tëra bënë hulumtime për Gjilanin dhe Anamoravën dhe për disa vite me radhë drejtor në Arkivin Ndërajonal të Gjilanit dhe Faik Nezirit, master në Drejtimin Juridik – Ndërkombëtar, shkruan kryelajmi.
Në këtë libër, redaktor i të cilit është prof. dr. Behlul Brestovci e recensent profesori Rahim Azemi trajtohen zanatet e vjetra dhe janë evidentuar edhe zanatlinjtë e Gjilanit në gjysmën e parë të shekullit të XX.
LIbri ka parathënien, hyrjen, tetë kapituj dhe literaturën shkencore dhe përfundimi është i përkthyer në gjuhën angleze nga profesor Ismajl Kurteshi.
Është ky një libër tejet interesant, që hedh më tepër dritë mbi të kaluarën tonë. Në libër jepen të dhëna mbi shumë zanate, që shumë prej tyre fatkeqësisht nuk ekzistojnë më, sikurse që janë listuar edhe zanatlinjtë që kanë lënë gjurmë në këto zanate.
Autorët me mjeshtri kanë përshkruar historikun se si kanë lindur këto zanate, se si edukoheshin të rinjtë për t’u marrë me to dhe si kualifikoheshin ata. Ata shkruajnë se si dukej Çarshia e Gjilanit, për dyqanet në rrugën kryesore e rrugët dytësore, pastaj llojet e zejeve, prodhimin e tyre se si e ku shiteshin ato, ndikimin e zejtarëve që kishin në shoqëri.
Gjithashtu autorët merren edhe me fatin e zejtarëve dhe presionin që ishin bërë mbi ta nga ish-sistemi, shpërnguljen e disave prej tyre në Turqi e gjetiu e një pjesë të madhe të këtij libri zënë edhe të dhënat e zejtarëve të shquar në Gjilan dhe dyqanet e tyre, shkruan kryelajmi.
Gjithsesi se ky libër është me interes për qytetarët e Gjilanit dhe për trashëgiminë kulturore të popullit tonë.
Libri pritet të përurohet të shtunën e ardhshme më 9 nëntor 2024 në Bibliotekën Ndërajonale të Gjilanit „Fan S. Noli“, gjë për të cilën publiku do të njoftohet me kohë. /2LONLINE/