Shkruan: dr. sc. Enver Sadiku
Pas Luftës së Parë Ballkanike, Kosova dhe vise të tjera shqiptare kishin rënë nën sundimin e Mbretërisë së Serbisë, kurse shqiptarët që ishin në trojet e veta asnjëherë nuk e kishin pranuar një pushtim të tillë dhe në forma të ndryshme kishte rezistuar.
Serbia, duke mos mundur as nëpërmjet dhunës e burgosjeve që të kthej kah veti krerët me ndikim te popullsia shqiptare, provoi edhe në forma të tjera, duke joshur edhe me të holla njerëzit me ndikim, që të viheshin në shërbim të tyre.
Këtë e dëshmon edhe një dokument i lëshuar nga Shtabi i Komandës së Lartë – Reparti Operativ, i cili i është drejtuar komandantit të Armatës së Tretë Serbe, të cilin po e botojmë të plotë.
“Është urdhëruar intendanti[*] që t’i dërgoj kësaj komande shumën e duhur të mjeteve për harxhimet personale të komisionit, i cili do të punojë sipas urdhrit tim pov. Obr. 4837 të 1 prillit të këtij viti, për të cilin komandanti do t’i drejtohet intendantit kryesor me shumën e caktuar që është e nevojshme për këtë qëllim.
Sa i përket shumës së caktuar për përfitimin e shqiptarëve (në dokument quhen arnautë E.S.), siç e ka paraqitur komandanti në depeshen e 3 prillit të këtij viti obr. 2296, kjo nuk mund t’i lihet komisionit në pronësi, sepse gjej se këto mjete nuk do të kenë sukses te shqiptarët, nëse komisioni nuk është në gjendje që shqiptarëve t’u ofrojë arsye të tjera më serioze me të cilat do t’i bindte në nevojën për përbashkimin me Serbinë. Përvojat e gjertanishme në këtë aspekt (Isa Boletini, Idrizi dhe të tjerët) sikurse edhe vetë e dhëna, të cilin e ka përmendur komandanti në depeshen e kaluar, të cilën e kanë edhe agjitatorët, mjaftueshëm japin fakte se paraja në këtë rast nuk do t’a arrijë qëllimin, andaj komandantit i dërgohen vetëm për harxhimet personale të komisionit”.
Sv.obr.2295 dhe obr.2364
9 prill 1913 Shefi i Shtabit
Shkup agjutanti i nderit i L.T., Mbretit, Vojvoda.[1]
Dokumenti në gjuhën serbe me shkrim cirilik.
Shqiptarët, që në Kosovë por edhe në Gjilan me rrethinë përherë ishin popullatë dominuese, asnjëherë nuk u përfshin në organet vendimmarrëse të Serbisë. Atyre iu mohua e drejta për pronë, identitet kombëtar, e drejta e besimit të lirë, e drejta e shkollës, e drejta e punës, e gjuhës dhe e lëvizjes.
Nëpërmjet planit të saj për përvetësimin e krerëve shqiptarë me ndikim, Serbia tentonte që nëse ky plan do të ketë sukses, atëherë do t’i shfrytëzonte ata për interesa të veta e nëse nuk do të mund t’ia arrinte këtij qëllimi, atëherë Serbia mëtonte që krerët shqiptarë të komprometoheshin para bashkatdhetarëve të tyre si njerëz të shitur. Duke arrestuar krerët shqiptarë, apo të edhe një a më shumë anëtarëve të familjeve nëpër fshatra e në qytete, ushtria serbe synim të sajin kishte që t’i detyronte shqiptarët e zonave të pushtuara që të rrinë të qetë dhe të mos i kundërvihen ushtrisë pushtuese serbe.
[*] Titulli intendant (frëngjisht: intendant, nga folja latine intendere = të menaxhosh diçka, të mbikëqyrësh) në histori është përdorur në shumë vend, tradicionalisht ajo i referohet nëpunësit administrativ të administratës publike.
[1]Arkivi Shtetëror i Kosovë (ASHK), Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29. telegram komandantit të Armatës së Tretë dërguar më 9 prill 1913 dërguar nga Shtabi i Komandës së Lartë – Reparti Operativ, Pov. Obr. 5107. /2LONLNE/