Gjatë kësaj fundjave, Dogana e Kosovës ka identifikuar dhe konfiskuar dy raste të ndara të kontrabandës së cigareve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jasbari’.
Pas hetimeve të detajuara dhe marrjes në pyetje të dy shtetasve të huaj të përfshirë në njërin nga rastet, dy personat e dyshuar janë arrestuar me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, njofton Dogana e Kosovës.
Në rastin e parë, oficerët doganorë zbuluan dhe konfiskuan 180 boksa cigare të markës Marlboro Gold pas kontrollit të imtësishëm të dy pasagjerëve me shtetësi të huaj. Në rastin e dytë, gjatë një operacioni të koordinuar me Policinë e Kosovës, u zbuluan dhe konfiskuan edhe 30 boksa të tjera të së njëjtës markë.
Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e trafikimit të produkteve të palejuara, duke mbrojtur shëndetin publik dhe duke siguruar një treg të ligjshëm. Operacionet dhe hetimet po vazhdojnë në përputhje me procedurat ligjore thuhet në njoftim. /2LONLINE/