Në takimin e mbajtur me anëtarët e komiteteve të Odës Ekonomike Amerikane, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, u shpreh se komunikimi në mes të institucionit që ai drejton dhe bizneseve është gjithmonë i mirëseardhur, duke shtuar që sugjerimet dhe rekomandimet nga ana e bizneseve janë të rëndësishme për këtë institucion.
Drejtori Llugaliu theksoi që në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë tashmë tregu kryesor eksportues i Kosovës.
‘’Një ndër objektivat kryesore strategjike të doganës është lehtësimi i tregtisë në të cilin ka pasur progres të dukshëm vitin e kaluar, por që gjithmonë ka çështje në të cilat duhet fokusuar më tepër’’, theksoi drejtori i doganave, Agron Llugaliu, duke shtuar që Dogana ka për synim vendosjen e standardeve të reja në lidhje me kërkesat e prodhuesve të cilat do të pranojnë përgjigje brenda dy javëve në lidhje me autorizimet.
Sa i përket investimeve të huaja, drejtori Llugaliu tha se kohëve të fundit po vërehet një interesim i madh nga ana e investitorëve të huaj për bashkëpunim me prodhuesit e Kosovës. Ai shtoi që dogana është ne dispozicion dhe e hapur për të gjitha kërkesat në mënyrë që investitorët të mos hasin në pengesa apo barriera në Kosovë.
Në takim u diskutuan edhe shume aspekte të rëndësishme në lidhje me aspekte që u konsideruan thelbësore për operimin e bizneseve, përfshirë edhe shtimin e bashkëpunimit për luftimin e ekonomisë joformale. /2LONLINE/