Dalja në votim
Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit – që nga hapja e vendvotimeve po zhvillohet në mënyrë të qetë. Deri në orën 10:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 5.2% (0.24% margja e gabimit) e qytetarëve me të drejtë vote. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,794,862 qytetarë të Kosovës.
Në komunat me shumicë serbe është raportuar për dalje në votime në mbi 10%, që është dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.
Respektimi i masave kundër COVID19 gjatë votimit
Në 21% të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e shpërndarjes së COVID19, ndërsa në 1% të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.
Udhëzimit administrativ i KQZ-së (UA-03/2020) kërkon që secili votues për qëllime të idenitifikimit nga anëtari i KVV-së të largojë maskën mbrojtëse. Megjithatë, gjatë votimit, në 27% të vendvotimeve, qytetarëve nuk u është kërkuar fare të heqin maskën mbrojtëse për t’u identifikuar, ndërsa në 35% të vendvotimeve kjo gjë po u kërkohet pjesërisht.
Parregullsitë më evidente gjatë procesit të votimit
Votimi me dokumente jovalide
Për këto zgjedhje, KQZ ka larguar nga Lista e Votuesve 122,421 votues të cilët kanë poseduar vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIKU. Megjthatë, janë hasur raste kur qytetarët janë lejuar të votojnë me dokumente jovalide, si dokumente të UNMIK-ut, shteteve të tjera apo dokumente të Kosovës me afat të skaduar.
Deri në orën 10:00, në 96% të vendvotimeve nuk ka pasur asnjë rast të votimit me dokumente jo valide. Ndërsa në vetëm 4% të vendvotimeve kjo parregullësi është hasur në raste të izoluara (deri në 10 raste).
Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit
Zvogëlimi i numrit të përgjithshëm të vendvotimeve në këto zgjedhje nga 2547 sa ishin në 2019 në 2382, ka prodhuar vështirësi tek qytetarët për t’a gjetur emrin në Listën e Votuesve, rrjedhimisht vendvotimin e duhur.
Deri në orën 10:00, në 67% nuk ka pasur vështirësi në gjetjen e vendvotimit. Ndërsa në 33% të vendvotimeve janë hasur deri në 10 raste.
Votimi me asistencë
Asistenca gjatë votimit është një ndihmë e cila mund t’i ofrohet votuesit, nën rrethana të veçanta në mënyrë që çdo votues të ketë mundësinë e ushtrimit të së drejtës së tij/saj juridike për të votuar. Rregulla zgjedhore përcakton se asistenca në votim nuk mund të ofrohet më shumë se një herë nga i njëjti qytetar dhe duhet të regjistrohet në Librin e Votimit. Për më tepër, anëtarëve të KVV-së apo vëzhguesve të akredituar iu ndalohet rreptësisht të ofrojnë asistencë në votim.
Në të kaluarën asistenca është keqpërdorur për të imponuar apo deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve duke ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar.
Deri në orën 10:00:
Në 64% deri në 10 raste me asistencë të evidentuar në Librin e Votimit.
Gjithsesi janë evidentuar edhe raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar në Librin e Votimit ashtu siç e përcaktojnë rregullat, 4.5% në raste të izoluara (deri në 10 raste).
Për më tepër, janë evidentuar edhe raste kur një person ka asistuar më shumë se një herë. Kjo parrregullësi ka ndodhur në 1% e vendvotimeve në raste të izoluara (deri në 1-4 raste).
Në vitin 2019, DnV raportoi se numri i rasteve të votimit me asistencë të rregullt ishte mbi 42,000, ndërsa me asistencë të parregullt ishin evidentuar rreth 800 raste.
DnV i bën thirrje kryesuesve të KVV-ve që të sigurojnë që votimi me asistencë të bëhet konform rregullave zgjedhore. Asistenca e parregullt konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore, e dënueshme me gjobë prej 200-2000 Euro.
Fotografimi i votës
Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ka të bëjë me blerjen e votës, frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.
Deri në orën 10:00, raste të fotografimit të votës janë hasur në 2% të vendvotimeve (deri në 1-4 raste).
Incidente serioze
Nuk është raportuar për ndonjë incident serioz që do të mund të cenonte procesin e votimit.
DnV u bën thirrje qytetarëve të dalin të votojnë dhe përmes pjesëmarrjes së tyre të bëhen pjesë e vendimeve për vendin.
DnV kërkon nga të gjitha subjektet politike të përmbahen nga çdo veprim që mund të cënojë integritetin e procesit zgjedhor.
DnV pret që institucionet e vendit të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të garantuar një atmosferë të qetë dhe zgjedhje demokratike dhe të lira. /2LONLINE.com/