Drejtori i Drejtorisë së Arsimit (DKA) në Gjilan, Nazim Gagica, sot ka ndarë mirënjohje për nxënësit e Shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati” në Gjilan, të cilët, javë më parë, me punimet e tyre kanë marrë pjesë në disa ekspozita ndërkombëtare, me të cila kanë bërë një promovim të mrekullueshëm të vendit tonë, para publikut evropian.
“Unë sot dua t’i falënderojë nxënësit, profesorët dhe drejtuesit e shkollës së artit pamor për punën që kanë bërë dhe po bëjnë aktualisht. Punimet artistike të nxënësve që sot i vlerësuam me mirënjohje janë dëshmi e përkushtimit dhe shenja optimizmi se këta nxënës kanë të ardhme të ndritur në fushë të artit”, ka thënë drejtori Gagica.
Ai ka premtuar se Drejtoria e arsimit në Gjilan, nuk do të pushojë së mbështeturi shkollën e artit dhe nxënësit e saj në projekte të këtilla që kanë për qëllim promovimin e kulturës sonë para botës.
Siç dihet, javë më parë, Fondazioni zviceran “Ibrahim Kodra”, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Evropiane, Fondacionin GAA, Muzeun e Kosovës, Shkollën e Artit Pamor “Adem Kastrati”, SOS fshatrat dhe Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë, me përkrahje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prezantoi në Bienalen e Venecias ekspozitën me punime të këtyre nxënësve me titull: “New Urbanistic and Culture of Cohabitation in Kosovo“.
Pas përfundimit të ekspozitës në Venecia, më 16 janar 2019 këto piktura janë ekspozuar në Galerinë e Artit në objektin e Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës me titullin “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”.
Ky aktivitet u mundësua si rezultat i bashkëpunimit, organizimit dhe mbështetjes së madhe të Z.Ilhan Kyuchyuk (pjesëtar i Parlamentit Evropian), gjithashtu, me përkrahje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Ambasada e Kosovës në Bruksel dhe Fondacioni Zviceran “Ibrahim Kodra”.
Me qëllimin e njëjtë, nga data 1 shkurt deri më datën 8 shkurt të këtij muaji, punimet janë prezantuar në objektin e Ambasadës së Kosovës në Bern (Zvicër) me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës (ministrive të lartpërmendura), Ambasadës së Kosovës në Zvicër, Muzeut të Kosovës dhe Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.
Pas kësaj ekspozite do të vazhdojë xhiroja e ekspozimit të këtyre punimeve dhe në shumë shtete të tjera evropiane.