Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka tentuar që të fusë telefon në qelinë e paraburgimit ku ai ndodhet pas arrestimit nga policia e EULEX-it.
Por kjo gjë është pikasur nga rojet e burgut të Lipjanit dhe plani i Rugovës ka dështuar. Telefoni në burgje është i ndaluar me rregullore të brendshme të burgjeve. Një gjë e tillë cilësohet si vepër penale, raporton “Koha Ditore”.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës u arrestua nga forcat e EULEX-it, nën dyshimin se drejton një grup kriminal, që merret me kontrabandë të emigrantëve, duke iu shitur atyre viza në mënyrë ilegale.
Bëhet fjalë për shitjen e 100 vizave italiane, të cilat Rugova dhe grupi që mendohet se ai drejton i kanë shitur në bashkëpunim me një punonjëse të ambasadës italiane. Një vizë është shitur për 3500 euro, ndërsa në këtë “biznes” janë të përfshirë edhe pesë persona të tjerë nga komuna të ndryshme.