Vana Jerliu Ramadani
(2LONLINE) – Bota sot është duke u ballafaquar me një problem social shumë serioz, siç është shkurorëzimi, që sikur është bërë normë në jetën tonë. Shkurorëzimi mund të ndodh për shkak të arsyeve të ndryshme, si konflikti në martesë, problemet financiare, stresi dhe arsye tjera, por pasojat që lë ai te fëmijët, janë të shumëfishta. Ajo që e bënë shkurorëzimin edhe më të vështirë, është fakti se shumica e çifteve të divorcuara kanë fëmijë, të cilët në shumicën e rasteve janë shumë të vegjël dhe nuk kanë ide se si të sillen në këto raste. Ndoshta, prindërit presin me pa durim të lirohen nga një martesë e palumtur dhe shumë e stresuar, por fëmijët janë të frikësuar dhe të hutuar dhe pa dyshim ndjehen se iu është kërcënuar siguria e tyre. Studimet e shumta kanë treguar se shumica e fëmijëve nuk duan që prindërit e tyre të jetojnë ndaras. Në shumë raste fëmijët marrin përsipër përgjegjësinë për t`i bashkuar prindërit e tyre përsëri dhe shumë herë sakrifikojnë nevojat e tyre dhe i krijojnë vetes një stres të madh. Lirisht mund të thuhet se shkurorëzimi është gjithmonë i vështirë për fëmijët, gjë që dëshmojnë edhe studimet e shumta. Te 173 fëmijë të rritur, edhe 20 vite më vonë, ndarja e prindërve vazhdon të ndikojë në familjet e tyre, duke krijuar një ndikim të madh në cilësinë e marrëdhënieve brenda familjes.
Problematikët janë kryesisht fëmijët prindërve të divorcuar
Pas martesës së prindërve, nganjëherë fëmijët janë shumë konfuz në marrëdhëniet me familjen e re. Shumë faktorë kanë të bëjnë me çështje të tilla, si njerka ose njerku, që mund të mos jenë të mirë dhe të mos kenë konsideratë për ta, ose në këto marrëdhënie ndikojnë edhe vëllezërit dhe motrat nga martesa e re. Nëse babai martohet pas shkurorëzimit, ka shumë gjasa që fëmijët nuk do të kenë marrëdhënie të mira me njerkën dhe gjyshërit e tyre. Nëse çifti i rimartuar duan njëri tjetrin, nuk do të thotë se edhe fëmijët do të duan bashkëshortin ose bashkëshorten e re, ose bashkëshorti ose bashkëshortja të duan fëmijët që gjejnë në martesë. Gjëja më e rëndësishme është se shkurorëzimi ka ndikim të madh në pjekurinë e fëmijëve, në shumë fusha të jetës, siç mund të jenë humbja e kontaktit me prindër, reduktimi i burimeve ekonomike e financiare, më shumë stres në të gjitha sferat e jetës, si dhe mungesë të disiplinës prindërore. Si pasojë e kësaj, krijohet shumë stres që ka shumë efekt negativ në marrëdhëniet e ardhshme familjare. Në një hulumtim i bërë në SHBA ka treguar se fëmijët me prindër të shkurorëzuar kanë një rrezik të madh për t`u përfshirë në probleme, përfshirë edhe çrregullime emocionale, vështirësi në marrëdhëniet shoqërore dhe dështim akademik. Duke analizuar një grup fëmijësh me prindër të shkurorëzuar dhe një grup fëmijësh që jetojnë më të dy prindërit, studiuesit kanë vërejtur dallim të madh në jetën e tyre, sidomos te meshkujt. Fëmijët me prindër të shkurorëzuar kanë treguar shqetësime në aftësitë e tyre në shkollë dhe aktivitetet tjera në shoqëri. Efektet negative kanë të bëjnë me emocionet që kanë paraqitur probleme në martesën e tyre, ndjenja e vetëbesimit të ulët, ndjenja e pasigurisë dhe e braktisjes së jetës shoqërore. Fëmijët me prindër të shkurorëzuar, zakonisht nuk kanë udhëzime të mjaftueshme sikur fëmijët që jetojnë me te dy prindërit dhe kjo mund të paraqet problem në jetën e tyre të ardhshme. Mungesa e prindërve për shkak të shkurorëzimit, tek disa ndikon edhe në humbjen e fëmijërisë pasi që familja ka obligim për të siguruar një lloj kujdesi për anëtarët e tjerë. Në këto rrethana, fëmijët detyrohen të punojnë në moshë shumë të re, madje disa ndërpresin edhe shkollimin dhe kjo ka pasoja negative sociale. Disa prej tyre krijojnë respekt të ulët për vetveten, për shkak të mungesës së mbështetjes emocionale nga prindërit, gjë që disa fillojnë të krijojnë varësi të ndryshme, siç janë drogat, duhani, alkooli etj.
Fëmijët duhet për përjashtohen nga konfliktet mes prindërve
Gjatë hulumtimeve në këtë aspekt është vërejtur se meshkujt reagojnë ndryshe nga femrat, si fëmijë të prindërve të shkurorëzuar. Meshkujt në moshën e adoleshencës kanë reflektuar një rritje të vetëbesimit, kurse te femrat ka ndodhur e kundërta. Ulja e vetëbesimit te disa prej femrave ka vazhduar deri në moshën e pjekurisë, sa i përket përshtatjes në rrethana të reja ose në zhvillim psiko-social. Meshkujt reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj shkurorëzimit prindëror. Studiuesit kanë zbuluar se shkurorëzimi i prindërve mund të jetë traumatik në çdo moshë, por veçanërisht më vështirë është për fëmijët e vegjël. Mungesa e dashurisë prindërore ndikon shumë në çdo moshë dhe mund të jetë shkas që fëmijët të ngecin prapa në jetën sociale dhe arsimore. Nuk duhet harruar se fëmijët, pas shkurorëzimit të prindërve, ndjehen të tradhtuar, sepse ata mendojnë se prindërit e tyre duhet të rregullojnë problemet në mes vete, për të jetuar së bashku. Pas shkurorëzimit, ata kalojnë në një periudhë të vështirë ndryshimesh në jetën e tyre. Humbin miqësi dhe nganjëherë humbin një mjedis shoqëror të rëndësishëm, sikurse mund të humbin edhe vëllezërit dhe motrat nga kjo ndarje, ose t`i lëndojnë këto raporte. E gjithë kjo mund të jetë shumë e vështirë për fëmijët dhe mund të jetë edhe shkatërruese. Është përgjegjësi e prindërve për të gjetur mënyrën se si mund t`i ndihmojnë fëmijët e tyre që të kenë një jetë sa më të mirë. Ata kalojnë nëpër ndryshime të mëdha, që ndonjëherë nuk është e mjaftueshme vetëm mbështetja prindërore, andaj duhet të kërkohet ndihmë profesionale nga psikologët, këshilltarët etj. Prindërit duhet pasur parasysh se shkurorëzimi mund të shkaktojë dëme në mirëqenien psikologjike të fëmijëve. Fëmijët mund të kenë probleme të shumta për shkak se nuk janë në gjendje të shprehin vështirësitë që kanë në një periudhë të tillë. Disa prej tyre zhgënjehen dhe ky mund të shndërrohet në një problem shumë serioz si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit. Përveç fëmijëve, shkurorëzimi ka një ndikim të madh edhe tek të rriturit që shkurorëzohen. Ata mund të përjetojnë një shumëllojshmëri të vështirësive të vazhdueshme psikologjike dhe sociale, që mund të kenë një ndikim të madh në jetën e tyre. Wood (2004) bëri një studim që ka lidhje të ngushta në mes të divorcit dhe depresionit familjar. Ajo zbuloi se shumica e prindërve, për shkak të mungesës së mbështetjes së partnerit, kanë simptoma që tregojnë një lidhje reciproke me depresion. Kjo ndodh edhe tek fëmijët dhe në raste depresive mund të izolojnë veten dhe fajësojnë veten e tyre për ndarjen e prindërve të tyre. Prindërit duhet të informohen sa më shumë se si këto probleme të reduktohen ose të tejkalohen, në mënyrë që fëmijët të kenë një jetë më të mirë edhe pas shkurorëzimit të tyre. Shkurorëzimi është i dhimbshëm dhe ka pasoja tek fëmijët. Pas shkurorëzimit fëmijët e kuptojnë se shumë gjëra do të ndryshojnë e veçanërisht njëri nga prindërit nuk do të jetoj me ta. Gjëja më e keqe dhe më e rrezikshme për fëmijët është kur ata ndjehen fajtorë për shkak se mendojnë që ata ishin arsyeja për shkurorëzim. Prandaj prindërit duhet të marrin masa paraprake kur ata janë duke përjetuar periudhën e shkurorëzimit dhe duhet t`u flasin fëmijëve duke ua shpjeguar se faji nuk ju përket atyre. Në asnjë mënyrë fëmijët nuk duhet të përfshihen në një konflikt prindëror, sidomos kur ata janë të vegjël. Prindërit nuk kanë ë drejtë të përfitojnë prej fëmijëve të tyre në rastet e shkurorëzimit. /2LONLINE/
(Autorja është studente e Masterit për Psikologji në SHBA)