Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në një postimi në faqen e tij në Facebook iu është përgjigjur reagimeve në lidhje me emërimin e drejtorit të Financave, Sinbad Sonki, i cili vjen nga komuniteti rom.
Ja postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë të Kamenicës,
Kam parë reagimet në lidhje me emërimin e Drejtorit të Financave Sinbad Sonki, i cili vjen nga komuniteti rom. Jam shqetësuar për vështirësinë për ta përçuar mesazhin dhe idenë deri tek publiku, dhe do të sigurohem që kjo të bëhet më mirë në të ardhmen. Resurset e pamjaftueshme njerëzore në sektorin komunikimit me publikun reflektohen edhe në këto raste. Sidoqoftë, dua të sqaroj disa paqartësi në mesin e qytetarëve në lidhje me këtë emërim. Emerimi i z. Sonki në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa është realizim i qëllimit tonë dhe pasqyrim i vlerave dhe besimeve tona për qeverisje për qytetarin pa dallim; gjithëpërfshirje dhe avancim të komunitetit drejt zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror.
Z. Sonki nuk është çfarëdo qytetari, çfarëdo i ri, çfarëdo punëtori. Z. Sonki vjen nga një komunitet që jeton në kushte të mizore në Kosovë, prej kur mbajmë mend. Komuniteti rom ka vuajtur nga varfëria, mungesa e arsimimit, problemet shëndetësore, martesat e hershme, dhuna në familje, mungesa e perspektivës, e diskriminimi i vazhdueshëm. Numrin e problemeve dhe dimensionet i dijmë të gjithë. Por, vazhdojmë t’i neglizhojmë në të gjitha nivelet. Këto janë aspektet më të rëndësishme të këtij rast emërimi. E kur kalojmë vëmendjen tonë nëpër këto aspekte, jam i bindur që gjithësecili e ndjen nevojën për veprim.
Ndonëse, getoizimi i romëve nëpër lagje të veçuara na bën që të mos ekspozohemi ndaj kushteve të rënda të cilat ata kalojnë. Edhe siç thuhet në popull: “Larg syve — larg zemrës”. Mirëpo, unë e kam obligim zyrtar e moral të mos i mbyllë sytë ndaj këtij problemi. Për më tepër, toleranca ndëretnike, mendimi progresiv e bashkëpunimi qytetar nuk është meritë e imja. Kamenica është model edhe përtej rajonit, për mënyrën e jetesës që admirohet e përmendet nëpër biseda shoqërore, zyre, e institucione. E mira e kësaj është që Kamenica udhëhiqet nga dikush që ndanë të njejtat vlera. Dhe për këtë jam deklaruar që në fillim. Unë jam interesuar që të kemi përfaqësues të komunitetit rom në kabinetin qeverisës. Kemi kërkuar e kemi diskutuar për përfaqësimin e komunitetit në kabinet. Kjo për disa arsye. Nën një, përfaqësuesit e departamenteve të ndryshme do të mund të jenë më afër komunitetit duke e pasur një përfaqësues që do të prezantojë para tyre nevojat e komunitetit. Së dyti, diversiteti në institucion është vlerë e tolerancës, demokracisë, e modernizimit të komunitetit. Kur patëm emruar gra në 50% të pozitave udhëheqëse u patëm ballafaquar me një reagim të ngjashëm. E mbaj në mend një reagim ishte: “komuna tash qenka vec për kanagjegje”. Mirëpo gratë e komunës së Kamenicës kanë dëshmuar se mund të udhëheqin proceset më të rëndësishme, të kenë komunikim më të afërt me qytetarin, dhe të ushtrojnë presion ndaj burrave që kanë filluar të humbin respektin për hapësirën publike të cilën e kanë përvetësuar atë.
Komuna e Kamenicës udhëhiqet nga një kabinet i ri në moshë. Dhe për këtë jam krenar. E di që të gjithë jemi krenar. Në kohën e teknologjisë, dinamikës së madhe, e domosdoshmërisë së njohjes së gjuhës angleze, kabineti i ri ka bërë punë të shkëlqyeshme, si në komunikim me donatorë, si në kryerje të detyrave pa zvarritje e pa ego, e si në bashkëpunim. Nuk është detyrimisht kështu, mirëpo shpesh herë përvoja në Kosovë është shenjë e implikimit, nënshtrimit dhe kompromiseve të shumta në të kaluarën. Mungesa e përvojës për më të vjetrit mund të jetë problem, mirëpo për një të ri, me energji, vullnet për të mësuar, përvoja krijohet. Andaj, duhet dhënë shanca. Sidomos, keni parasysh, është fjala për komunitetin më të shkelur dhe margjinalizuar. Një herë e përjashtojmë që s’ka përvojë, mandej s’mund të bëjë përvojë sepse është i përjashtuar, margjinalizuar, izoluar. Pyetja pra është: “si ndodhi që nuk e kemi asnjë rom me arsim të lartë?! Çfarë përpjekjesh kundër margjinalizimit këmi bërë ne si qytetarë, si komunë dhe si shoqëri? Të gjithë mund të kemi nevoja, probleme e halle personale, mirëpo humaniteti ynë ka vlerë vetëm kur kujdesemi, mendojmë e veprojmë për tjetrin. Këtë e predikon feja, këtë e thotë shkenca, këtë e besojmë të gjithë.
Sinbad Sonki është njeriu më i përshatshëm në komunitetin rom në Kamenicë për të qenë drejtor. Zellin për punë e gatishmërinë për angazhim ia kemi vërejtur Sinbadit gjatë kohës kur e ka vijuar kursin për mësimin e gjuhës shqipe.
Dua t’ju siguroj se Drejtoria për Buxhet dhe Financa e ka stafin më të përgatiturin. Aty ka miqësi, atmosferë pune, dhe sistem të vendosur. Asgjë nuk do të mbetet pa u kryer, performanca veçse do të rritet. Unë marr përgjegjësi për këtë! Në anën tjetër, të gjitha drejtoritë janë të rëndësishme. Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik ka barrën e sjelljes së investimeve, trajtimit të turizmit e diasporës. Arsimi edukon gjeneratat e ardhshme. Shëndetësia përmirëson shërbimet shëndetësore. Por, vendimi ynë ka qenë i mirëmenduar duke i marrë parasysh të gjitha aspektet që i përmenda më lartë.
Unë e dua punën që e bëj, e dua komunikimin me qytetarët dhe ndjehem i barabartë me gjithësecilin që ka qëllime pozitive, mendon pa paragjykuar dhe ia do të mirën Kamenicës në përgjithësi. Andaj, e falënderoj atë që e vlerëson përkushtimin tonë, angazhimin dhe përpjekjet për barazi, zhvillim dhe prosperitet të gjithëmbarshëm të komunitetit.
Sinqerisht,