19-vjetori i çlirimit të Gjilanit, do të shënohet me aktivitete të shumta, që fillojnë më 11 qershor dhe përfundojnë më 15 qershor, me një koncert të madh të ansambleve të qytetit.
Aktivitetet e ditës së parë, pas homazheve të varri i shkrimtarit Beqir Musliut, do të vazhdojnë me ekspozitën e librit të autorëve, pastaj promovimin e librit të autorit Nijazi Idrizi “I tillë ishte Hushi”, kushtuar dëshmorit Ibrahim Uruqi, për t`u përmbyllur me ndarjen e çmimit letrar “Beqir Musliu”. Të tri këto aktivitete zhvillohen në hapësirat e Bibliotekës së qytetit.
Më 12 qershor, aktivitetet hapen me homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe lapidarët, pastaj në ora 11:00 mbahet seanca solemne e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku zhvillohet ceremonia e dhënies së çmimit “Qytetar Nderi” për Afrim Kqiku, Hafiz Gagica dhe Hasan Mala.
Në ora 12:00 bëhet hapja e Konsullatës së Shqipërisë.
Në ora 15:00 bëhet shpallja e më të dalluarve nga shërbim civil, arsim, shëndetësi, bujqësi, kulturë, rini dhe sport. Ky aktivitet zhvillohet në salla e Kuvendit.
Manifestimet e kësaj dite përmbyllen me ekspozitën kolektive të piktorëve gjilanas, e cila hapet në ambientet e Teatrit të Qytetit, në ora 18:00.
Dy ditët e fundit janë rezervuar për programe muzikore. Më 13 qershor, nga 12:00 mbahet koncerti për fëmije, para Teatrit të Qytetit, ndërsa më 15 qershor, nga ora 19:00 zhvillohet koncerti me ansamblet e qytetit të Gjilanit dhe rrethinës, me çka përmbyllet kalendari i shënimit të manifestimit “Ditët e Lirisë”.
Zyrtarisht, Gjilani e shënon 15-qershorin si ditë të çlirimit.