Xhudistja e re pejane, Distria Krasniqi, po ecën hapave të Majlinda Kelmendit. Distria, të premten, e ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 48 kilogram, në turneun Grand Prix të mbajtur në Dyseldorf.
Ajo në rrethin e e parë mposhti turken, Dilara Lokmanhekim, pastaj argjentinasen Paola Pareto dhe jug-koreanen, Bo Kyeong Jeong. Në gjysmëfinale Distria humbi nga kinezja, Shugen Wu nga Kina, e cila në fund edhe e fitoi medaljen e artë.
Megjithatë, xhudistja e re pejane nuk u demoralizua pas kësaj humbje dhe arriti që nëpërmjet repesazhit ta fitojë medaljen e bronztë, duke e mposhtur gjermanen, Sonja Wirth. Kjo është medalja e dytë në këtë vit për Distria Krasniqin, pasi muajin e kaluar e fitoi medaljen e artë në Sofje të Bullgarisë në Kupën e Botës.
Në Grand Prix, të mbajtur në Dyseldorf, ka marrë pjesë edhe Akil Gjakova në kategorinë deri 66 kilogram, por ai fitoi vetëm në rrethin e parë kundër Batsuuri Adiya nga Mongolia, derisa pësoi humbje nga rusi, Alim Gadanov.
(RTK)