“Identifikimi dhe format e luftimit të dukurive negative në shkollat e Komunës së Gjilanit” ka qenë tema e një tryeze organizuar nga anëtarët e Komitetit Komunal të Arsimit në Gjilan, e ku janë mbledhur njohës të kësaj fushe, drejtor shkollash, mësimdhënës, psikolog, sociolog, policë, përfaqësues të institucioneve komunale, nxënës e të tjerë.
Ardhmërie Jakupi Musliu, Kryesuese e Komitetit Komunal për Arsim ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze është që Komiteti në fjalë të marrë të dhëna, sugjerime e ide nga pjesëmarrësit, që komiteti t’i adresojë në adresa përkatëse, që pastaj të punohet në drejtim të parandalimit të dukurive negative në shkollat tona, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Nga diskutuesit e shumtë u vu në pah prezenca e dukurive negative në shkolla dhe me këtë domosdoshmëria që institucionet përgjegjëse dhe ata që do të marrin përgjegjësi të mobilizohen dhe të gjejnë forma efikase të luftimit të dukurive negative dhe krijimin e një ambienti të shëndetshëm në shkollat e komunës.
E pranishme, ishte edhe nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, e cila vuri në pah përkushtimin institucional dhe përkrahjen institucionale të të gjitha mekanizmave që angazhohen në këtë fushë, që të kemi rezultate pozitive, sepse siç u tha, rinia është e ardhmja e vendi, është pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi një rini të shëndoshë.
Të rëndësishme këtë tryezë e vlerësoi edhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Albana Demiri, e cila foli për angazhimet e drejtorisë për të evidentuar dhe për të ndërmarrë masat e duhura që do të ndikonin në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në shkollat.
Ishin të shumtë që morën fjalën e që kontributi i tyre në këtë tryezë u vlerësua jashtëzakonisht shumë për t’u shndërruar në konkluzione të kësaj tryeze e më pas, i mbetet përgjegjësi e komitetit në fjalë që në cilësinë e organizatorit, t’i shndërrojë ato në rekomandime dhe t’i adresojë në adresat e duhura, për veprim.
Sadete Sadiku nga Policia e Kosovës, Ramadan Dërmaku, Kushtrim Jakupi, Murat Morina, Hysen Kqiku, Rrahim Azemi, Sadete Tërnava, Drita Maliqi, Avdil Islami, Përparim Poroshtica, personalitete të kyçura drejtpërdrejt në arsim, Enis Zuka, psikolog, Mursel Zymberi, nga Qendra për Punë Sociale, Selami Shabani, shëndetësi, Rron Hoxha e Rigë Selimi, nxënës, Muhamet Halili, qytetari aktive, Faton Milazimi, e Ismajl Kurteshi, kuvendarë, si dhe të tjerë, shpërfaqën mendimet e tyre mbi këtë çështje, por edhe ofruan ide se si do të kontribuohej në këtë drejtim, transmeton 2LONLINE.com.
U përmenden si domosdoshmëri, qasja shkencore e kësaj problematike, krijimi i mekanizmave që do të merreshin enkas me këtë çështje, bashkëpunimi i frytshëm i të gjitha institucioneve që merren me këtë problematikë, domosdoshmëria e funksionimit sa më të mirë të trekëndëshit, mësimdhënës, nxënës, prind, angazhimi i sa më shumë psikologëve e pedagogëve nëpër shkolla, vetëdijesimi i nxënësve, përmes ligjëratave, shtimi i masave të sigurisë nga ana e institucioneve të arsimit, policisë etj, sa më shumë aktivitete të lira gjithëpërfshirëse të nxënësve, angazhimi i nxënësve në sportin shkollor, në fushën e artit e fusha tjera, pasurimi i shkollave me biblioteka dhe krijim i hapësira tjera për aktivitete të lira të nxënësve, si dhe ide të tjera kreative.
Në fund, anëtari i KK-së, Ismajl Kurteshi, duke i vlerësuar jashtëzakonisht shumë të gjitha diskutimet tha se komiteti tani do ti regjistrojë këto si konkluzione të cilat do të shndërrohen në rekomandime dhe do ti adresohen institucioneve përkatëse, duke u nisur nga kryetari i komunës e tutje, që të vazhdohet me punë, që do të ndikonte në parandalimin e dukurive negative në shkollat tona. /2LONLINE/