Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, priti në takim Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power dhe ekspertët e projektit KOSEJ, Emmanuel Baron dhe Stephanie Lefeuvre.
Temë e diskutimit ishte thellimi i bashkëpunimit të mëtejshëm për zbatimin e fazës së tretë të projektit KoSEJ. Meqenëse, projekti është në fazën fillestare, në këtë takim u diskutuan edhe aktivitetet e përbashkëta, me qëllim të ngritjes së efikasitetit, duke përdorur metodologjinë e CEPEJ-it.
Kryesuesi Jetish Maloku falënderoi me këtë rast Këshillin e Evropës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sistemit prokurorial në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit, duke potencuar se sa u përket indikatorëve të CEPEJ-it, momentalisht, përmes SMIL-it është duke vazhduar faza e testimit të raporteve të thjeshta statistikore. Gjithashtu, me ekspertët e projektit KOSEJ është duke u punuar për hartimin e modulit për gjenerimin e raporteve të avancuara, në të cilat do të përfshihen indikatorët e CEPEJ-it.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Zyrës së Këshillit të Evropës dhe ekspertët e këtij KOSEJ janë shprehur se mirëpresin zgjerimin e bashkëpunimit me sistemin prokurorial dhe janë të gatshëm që së bashku t’i diskutojnë aktivitetet e përbashkëta, në të cilat përfshihen Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit. /2LONLINE/