Komuna e Vitisë, ka vazhduar dje me ciklin e diskutimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal 2018-2018 dhe atë në Pozheran dhe Sadovinë të Çerkezëve.
Fillimisht gjatë këtij takimi banorët janë njoftuar me draft buxhetin komunal për vitin në vijim dhe ndarjen e saj në kategoritë e ndryshme buxhetore, në veçanti edhe në kategorinë e Investimeve kapitale. Në pjesën e dytë të këtij takimi banorët kanë shprehur kërkesat dhe nevojat e tyre për investime.
Zv. Kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu gjatë këtyre diskutimeve publike bëri me dije se Komuna e Vitisë, mbetet e vendosur që listën e investimeve kapitale të bëjë në bashkëpunim me qytetarët e saj, duke potencuar se nevojat e qytetarëve janë më të mëdha sesa mjetet buxhetore. “ Jemi të vendosur të bëjmë ndarjen e drejtë të buxhetit komunal. Por duhet të kemi parasysh se kemi lokalitete ku nevoja për investime janë më të mëdha , por gjithashtu duhet të kemi parasysh se për vitin në vijim në kategorinë e investimeve kapitale janë 2 milion e 213 mijë euro dhe sigurisht se po të investonimin këto mjete vetëm në një lokalitet prapë do të kishim kërkesa nga qytetarët”, u shpreh zv. Kryetari Aliu. Kurse Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim tha se 90% e buxhetit komunal në vlerë prej 9 milion e 800 mijë euro vjen nga niveli qendror dhe se ajo ndahet në tri kritere bazë si: numri i banorëve, numri i nxënësve dhe vizitat mjekësore në institucionet shëndetësore. E Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë, i cili morri edhe pjesë në diskutimin publik për planifikimin e buxhetit komunal në Pozheran tha se institucionet komunale kanë realizuar disa projekte më rëndësi në këtë lokalitet duke përmendur ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, ndërtimin e sheshit, asfaltimin e disa rrugëve lagjore, pavarësimin e shkollës si dhe projektin për ndërtimin e objektit të ri shkollor si dhe stadiumin. Kurse Pozheranasit kërkuan që komuna e Vitisë, të bënë asfaltimin e disa rrugëve lagjore, të vendosët një pikë e shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të bëhet ndriçimi publik nëpër lagje si dhe që qendra kryesore e mjekësisë familjare në Pozheran të pajiset me një autoambulancë e cila do të ishte 24 orë në gjendje gatishmërie për rastet emergjente. Gjithashtu ata kërkuan që të shikohen mundësitë buxhetor e të bëhet ndërtimi i një çerdhe, të ndërtohet trotuari nga shkolla e parë shqipe deri të “Ura e Kurteshit”, të bëhet rregullimi i disa rrugëve bujqësore si dhe të bëhet kyçja e të gjithë qytetarëve në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit. Kurse banorët e fshatit Sadovinë të Çerkezëve, kërkuan që të realizohen disa projekte infrastrukturore si asfaltimi i rrugëve lagjore, në veçanti segmenti i rrugës së “Rekofcit”, të bëhet kyçja individuale e qytetarëve në rrjetin e ujësjellësit, të ndërtohet një trotuar për sigurinë e nxënësve, të bëhet rregullimi i rrugëve bujqësore si dhe të bëhet ndriçimi publik në gjitha rrugët e fshatit.