I zbuluar në 2012 në Wyoming, SHBA, skeleti është ruajtur mjaft mirë, me gati 90% të të gjitha eshtrave të origjinës.
Rreth 13 metra i gjatë dhe 6,2 metra i lartë, një dinozaur mbresëlënës i periudhës së Xhurasikut pritet të dalë në ankand në Paris në muajin qershor, njoftoi shtëpia franceze e ankandeve ”Aguttes”.
Sipas një studimi të kryer nga disa paleontologë, ”Skinny” mendohet të jetë një sauropod i familjes së Diplodocinae, i cili i përket një specieje të re. Ai nuk ka ende një emërtim shkencor.
Për të tërhequr vëmendjen e koleksionistëve dhe publikut, skeleti, që daton 150 milionë vite më parë me emërtimin ”Skinny” është ekspozuar i pozicionuar me qëndrimin drejt, i mbështetur mbi këmbët e pasme në një nga terminalet e aeroportit të Londrës ”Heathrow”, deri më 3 qershor.
”Shtëpia e ankandeve e vlerësoi mes shumës 1,5 deri në dy milionë euro. Bëhet fjalë për një nga tre fosilet e sauropodit të zbuluar që nga fundi i shekullit XIX”, pohon për median, Eric Mickeler, ekspert në paleontologji dhe përgjegjës për përgatitjen e ankandit.