Rritja e komunikimit në mes të sektorit publik dhe atij privat është parakusht për nxitjen e rritjes ekonomike, përmirësimin e mjedisit afarist dhe fuqizimin e sundimit të ligjit. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, theksoi se organizimi i tryezave të tilla i shërben krijimit të një platforme ku adresohen shqetësimet e bizneseve dhe shkëmbehen rekomandime lidhur me mënyrat të cilat garantojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Ibrahimi theksoi se në të kaluarën ka pasur luhatje të nivelit të dialogut në mes të sektorit publik dhe atij privat, duke sugjeruar krijimin e një kanali të mirëfilltë të dialogimit në këtë drejtim.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha-Shala, theksoi se Oda Amerikane mbetet një partner shumë i rëndësishëm për çështjet të cilat afektojnë operimet e bizneseve, andaj bashkëpunimi me Komisionin të cilin ajo drejton është i domosdoshëm. Ndërsa Zëvendëskryetari i këtij Komisioni, Dardan Sejdiu, potencoi se bashkëpunimi me Odat Ekonomike gjatë kësaj periudhe është tejet i rëndësishëm, marrë parasysh se brenda vitit parashihet të hartohen edhe Ligji për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje aktive në dëgjimet publike të këtij komisioni parlamentar.
Më tutje, përfaqësuesit e bizneseve diskutuan lidhur me çështjet të cilat afektojnë sektorin e prodhimit, tregtisë, dhe teknologjisë informative dhe zhvillimin ekonomik në tërësi, duke kërkuar rritje të dialogut të mirëfilltë mes sektorit publik me atë privat.