Dogana është një ndër akterët më të rëndësishëm për sektorin privat dhe operacionet e bizneseve. Me qëllim të lehtësimit të dialogut midis kompanive të sektorit privat dhe Doganës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar tryezë diskutimi me drejtorin e ri të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.
Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm në Doganën e Kosovës, tha se synimi i Doganës është krijimi i kushteve për trajtimin e barabartë për të gjitha bizneset dhe lehtësimi i procedurave doganore përmes avancimeve teknologjike, respektivisht automatizimit të proceseve, që ofrojnë komunikim dhe qasje më të lehtë për bizneset në proceset e zhvilluara nga Dogana. Ai tutje theksoi se ndihmë kryesore do t’u ofrojnë sektorit tregtar, prodhues dhe eksportit në vendin tonë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se Dogana është njëra ndër institucionet më me ndikim në punën e shumë ndërmarrjeve në vend, prandaj fuqizimi i dialogut me këtë institucion është interes i vazhdueshëm i sektorit privat dhe i përfaqësuesve të tyre.
Avni Krasniqi, Kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganës në Odën Amerikane, tha se falë bashkëpunimit të ngushtë dhe dialogut të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës, është bërë e mundur të të lehtësohen në vazhdimësi procedurat e zhdoganimit të mallrave dhe procedurat e tjera që lidhen me Doganën, duke theksuar se ky institucion është shembull në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të pranishme në takim ngritën shqetësime të ndryshme që lidhen me rolin e Doganës si çështja e rivlerësimit dhe klasifikimit të mallrave, trajtimin e importeve paralele dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale, por edhe luftimin e ekonomisë joformale dhe kontrabandës. /2LONLINE.com/