Në cilësinë tonë si Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Kosovë (DhTIK), përfaqësuese e bizneseve të Kosovës, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të IP adresave serbe nga provajderët e internetit në Kosovë. Ky veprim ka shkaktuar pasoja negative të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset vendore, duke sjellë dëme ekonomike të vlerësuar në miliona euro, thuhet në reagimin e DHTIK-së.
Rezultati i mosrregullimit të IP adresave në faqet e internetit në gjuhën shqipe në Kosovë është që reklamat e shfaqura janë në gjuhën serbe, ndërsa nuk ofrohen reklama dhe oferta në gjuhën shqipe. Kjo situatë jo vetëm që është e papëlqyeshme, por gjithashtu ndikon në zvogëlimin e të ardhurave të bizneseve, duke u krijuar mundësi për shtete të tjera për të ofruar reklama dhe oferta në internet.
Kjo situatë ka pasoja serioze për bizneset në Kosovë, duke përfshirë edhe ato që merren me marketingun online. Për shembull, një blogger kosovar që reklamon në gjuhën shqipe nuk përfiton asgjë nga reklamat serbe që shfaqen në faqen e tij. Kjo situatë e papranueshme shkakton dëme potenciale në të ardhurat dhe vlerën e punës së tyre.
Bizneset vendore, veçanërisht mediat online, janë të dëmtuara në vlerë miliona euro për shkak të problematikave të vazhdueshme me IP adresat. Për këtë arsye, kemi bërë thirrje që të ndryshohet përdorimi i IP adresave serbe nga provajderët e internetit në Kosovë dhe të përdoren IP adresa të Shqipërisë për të lejuar bizneset tona të përfitojnë nga reklamat dhe ofertat
Në këtë kontekst, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të marrin masa të menjëhershme për të vendosur rregulla të qarta lidhur me përdorimin e IP adresave nga provajderët e internetit kabllorë në Kosovë. Kërkojmë që IP adresat e përdorura të jenë nga Shqipëria deri në momentin e marrjes së IP adresave zyrtare të Kosovës.
Po ashtu, kërkojmë nga provajderët e internetit në Kosovë që të ndalojnë përdorimin e IP adresave serbe, pasi kjo veprimtari po shkakton dëme serioze për bizneset që reklamojnë online në gjuhën shqipe, si dhe për kompanitë e tjera të tregtisë elektronike.
Shembull është foto ndërsa përmes linkut të mëposhtëm ju mund të bindeni menjëherë për këtë problem me IP adresa:
Ne shpresojmë që kërkesat tona të merren parasysh dhe se veprimet e menjëhershme do të ndërmerren për zgjidhjen e kësaj çështje të rëndësishme, thuhet në reaigmin e DhTIK-së. /2LONLINE/