Vlerësimi i riskut në vendin e punës, mundësitë e zhvillimit të biznesit në vend, përmirësimi i kushteve në vendin e punës si dhe ikja e punëtorëve jashtë vendit ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësueseve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Përfaqësueset e Dhomës së Tregtisë u shprehën të hapura për bashkëpunim profesional me Inspektoratin e Punës me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe inputeve drejtpërdrejt nga bizneset, në mënyrë që të tejkalohen sfidat që hasin operatorët ekonomik gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Drejtoresha e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë Zana Beqiri, theksoi se me kërkesën e bizneseve DHTIK ka në fokus ngritjen e vetëdijes për respektimin e ligjit respektivisht rregulloreve të punës nga ana e bizneseve dhe punëtoreve.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës Hekuran Nikçi theksoi se është i gatshëm për bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ku i njëjti rekomandon mbajtjen e trajnimeve me qëllim të këshillimit të bizneseve si punëdhënës dhe punëmarrësve rreth përgjegjësive dhe respektimit të të drejtave në vendin e punës.
Si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë besojmë me vendosmëri se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë duhet të i kushtojnë më shumë vëmendje përmirësimit të kushteve të punës në vend. Kjo konsiderojmë mund të realizohet përmes masave të ndryshme siç janë përmirësimi i mekanizmave kontrollues, rritja e personelit në inspektoratin e punës, certifikimi i trajnuesve profesionistë të punësimit etj.
DHTIK konsideron se krahas projekteve për përmiresimin e cilësisë së produkteve që ndihmon në rritjen e tregut, të rinjët kosovarë duhet që gjithashtu të ndryshojnë përceptimin e mjedisit të punës në vend, në mënyrë që të zvoglojmë numrin e të rinjëve që lëshojnë vendin në kërkim të një mjedisi që ofron mirëqenie dhe respektim më të madh të ligjit. /2LONLINE/