Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean Claude Schlumberger, ka mbajtur sonte në orët e vona konferencë për gazetarë, në të cilën ka folur rreth incidenteve të dhunshme në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës. Ai ka bërë të ditur se procesi i zgjedhjeve ka qenë duke shkuar mirë deri në orën 17:00. Sipas tij, pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje deri në këtë kohë ka qenë në Leposaviq, 22 për qind, pastaj në Zubin Potok, 22 për qind, si dhe në Zveçan 11. 21 për qind.
“Një grup personash të maskuar ka sulmuar pjesëtarët e stafit tonë në shkollën teknike, të mjekësisë, si dhe në shkollën ‘Sveti Sava’ duke hedhur gaz lotsjellës dhe ngjashëm. Situata ishte përkeqësuar edhe në Zveçan, ndërsa stafi ynë është tërhequr”, ka thënë Schlumberger, duke shtuar se një bombë e pashpërthyer është gjetur po ashtu në shkollën teknike, transmeton RTK.
Ai ka theksuar se misioni i OSBE-së ka kërkuar nga KQZ-ja që t’i mbyllë qendrat e votimit, ndërsa ka mohuar se OSBE ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve në veri.
Ai ka shtuar se materiali nga tre komunat veriore është bartur në pjesën jugore dhe është në vend të sigurt, por jo edhe materiali nga veriu i Mitrovicës, një pjesë e së cilës është dëmtuar.
Në pyetjen se a ka dështuar OSBE-ja në organizimin e sigurisë, ambasadori ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se OSBE-ja ka ndihmuar vetëm në lehtësimin e procesit që ka qenë detyrë e saj, ndërsa ka bërë gjithçka që është e mundur deri në momentin kur dhuna është përshkallëzuar.