Shtatë të arrestuarit nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë, kanë dal para gjykatësit. Genc Selimi, Nuredin Sylejmani, Valon Shala, Ardian Mehmeti, Musli Hyseni, Fidan Demolli dhe Bekim Mulolli janë sjell në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Në Gjykatë përmes videolinkut kanë dëshmuar edhe dy shtetase amerikane. Ato dyshohet se ishin rrahur në mënyrë brutale nga të arrestuarit.
Avokati Jusuf Berisha që e mbron Genc Selimin, ka theksuar se në seancën ku janë marrë në pyetje dy shtetaset amerikane, ato nuk kanë arritur të dëshmojnë më shumë se njëri nga sulmuesit ishte me mjekër.
“Dëshmitarja e parë, e dëmtuara, amerikania nuk mundet me identifikua më tepër personat që kanë sulmuar vetëm se thotë se njëri prej tyre ka mjekër, dhe asgjë tjetër”, tha ai. Ndërsa, avokati i Valon Shalës, Nikë Shala, ka thënë se “në asnjë provë nuk është dëshmuar as nga palët e dëmtuara e as nga një dëshmitarë”.
Prokurori i EULEX-it, Robert Kucharski është në krye të këtij hetim ku kosovarët dyshohen se ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të rënda të lidhura me terrorizëm e që ishin të nxitura nga motivet e urrejtjes racore, fetare apo etnike, përçarjes apo mosdurimit kombëtar. Ata dyshohet se janë bërë pjesë e grupeve terroriste.
“Provat që janë siguruar tregojnë se të dyshuarit Genc Selimi, Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Fidan Demolli dhe Valon Shala ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të ndryshme penale me motiv doktrinën radikale fetare tipike me xhihadin”, pretendon Prokuroria./RTK/