“5 maji është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. Andaj sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në të gjitha etapat e së kaluarës sonë. Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit. Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjellen si mësime dhe frymëzime ndër breza.
“Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët. Dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun. Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, për lirinë dhe për vendin”, thotë Kurti.
Kryeministri i vendit shtoi se sivjet po bëhen 25 vite nga çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999. Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit tonë. Ata janë dëshmorët më të freskët në kujtesën tonë kolektive për rrugën që kemi ndjekur deri te liria, andaj edhe përkujtimet e nderimet tona për dëshmorët, nisin prej tyre dhe mbarojnë me ta.
“Lavdi përherë dëshmorëve të kombit të rënë për liri, sot dhe për jetë e mot”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /2LONLINE/