Për më tepër, ata thanë se mund të ndodh që reflektorët të jenë gati edhe për derbin lokal të kësaj të mërkure, në mes të klubeve gjilanase Drita e Gjilanit, që ai të luhet nën ndriçimin e reflektorëve.
Selver Xhelili, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte, ka potencuar mundësinë se reflektorët do të mund të jenë gati qysh për këtë të mërkurë, kur do të zhvillohet derbi gjilanas mes dy klubeve rivale nga qyteti, që pritet të tubojë numër të madh adhuruesish në shkallët e stadiumit.
XHelili ka thënë se Stadiumi i Qytetit është i ngarkuar së tepërmi, por tani aty do të mund të zhvillohen ndeshje e stërvitje edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Ai ka thënë të ketë pasur takim me klubet Drita, Gjilani e Bashkimi dhe është arritur marrëveshja që të bëhet ndriçimi, kurse më pas u zgjodh edhe kompania fituese.
Xhelili, thotë se ky do të jetë investim prej të hyrave që do të bëhen në stadium. Ai tha se projekti kap vlerën mbi 10 mijë euro, kurse kompania që po i kryen punët e ka përgjegjësinë e ndriçimit.
Sipas tij, me investitorin është rënë në ujdi që në ndeshjet që zhvillohen gjatë orëve të mbrëmjes, të hyrat nga shitja e biletave 25 për qind t’i jepen punëkryesit e 75 për qind klubeve edhe atë deri në likuidimin e obligimit ndaj punëkryesit.
“Jemi në negociata edhe me ekipe nga rajoni, të cilat do të ftohen në zhvillimin e ndeshjeve miqësore dhe tash së fundi jemi në konsultë me ekipin Teuta nga Durrësi dhe brenda dhjetë ditëve do të konfirmohet se a do të zhvillohet ndeshja”, thotë Xhelili,
Sipas tij, nga ndeshjet miqësore që pritet të zhvillohen, të gjitha mjetet që arkëtohen do të paguhen për ndriçim, kurse besohet se në sezonin tjetër do të shlyhet borxhi. Përndryshe, vendosje e reflektorëve do të bëjë që në këtë tempull të futbollit të kthehet shikueshmëria. /2lonline/