Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku Rexhepi ka kritikuar qeverisjen aktuale lidhur me rrugën Gjilan-Kllokot-Ferizaj, që sipas deputetes, është në gjendje të mjerueshme.
Ajo tha se korriku e gushti janë dy muajt kur mërgimtarët tanë vijnë në vendlindje në fluks të madh dhe çdo vit kur ata vijnë duan të shohin ndryshime pozitive, së paku në infrastrukture rrugore, por, kushdo që frekuenton këtë rrugë e sheh që ndryshimet janë negative.
Kur jemi te rruga Gjilan-Kllokot-Ferizaj, deputetja e LDK-së thotë se kjo rrugë që më shumë se një vit është në këtë gjendje të mjerueshme.
“E kanë vizituar e fotografuar ministra, kolegë deputetë e madje edhe kryeministri i cili tha do të punohet natën që të kryhet më shpejtë. Puna e natës e zeza e ditës. As ditën e as natën nuk punohet e të kryhet. Ju kam ofruar cfarëdo përkrahje si deputete nga anamorava por kot. Pluhuri është bërë i dëmshëm për banorët përreth. E ndryshimi që shumë mërgimtarë e kërkuan duke e votuar këtë qeveri dembele, mashtruese dhe populliste nuk erdhi. Erdhën këto rrugë si kjo, e të tjera kësisoj se për projekte të reja as që diskutohet”, ka thënë deputetja Valentina Bunjaku Rexhepi.
Ajo shtoi se edhe qytetarët e kanë të qartë tani më se a është ky ndryshim që e kërkuan apo janë mashtruar.
“Kosova nuk po zhvillohet ngadalë por po kthehet mbrapa shumë shpejtë”, ka thënë Valentina Bunjaku Rexhepi, deputetja e LDK-së. /2LONLINE/