Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftiu, që njëherësh është edhe drejtuesja e Qendrës së kësaj Lëvizjeje në Gjilan, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e bashkuar sepse kështu është më e fortë dhe ështe e vetmja shpresë për qytetarët!
“Në një situatë ku nga Lëvizja Vetëvendosje japin dorëheqje kryetari, nënkryetari dhe anëtarë tjerë të kryesisë, secili aktivist i cili ia do të mirën organizatës duhet të jetë i shqetësuar dhe i brengosur për këtë dhe do të duhej që të angazhohej në çfarëdo mënyre që të bëjnë ftesë për unitet, e jo sikurse disa që me shkrimet e tyre po e bëjnë të kundërtën”, ka thënë Baftiu, transmeton 2LONLINE.
Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e bashkuar sepse kështu është më e fortë dhe është e vetmja shpresë për qytetarët! “Kemi obligim ndaj qytetarëve të cilët janë të shumtë që e kërkojnë një gjë të tillë”, ka thënë deputetja Baftiu.
Ajo iu është referuar edhe mesazheve të shumta të qytetarëve, duke veçuar njërin nga mesazhet që ia ka dërguar një qytetar:
”Keni qenë dhe jeni shpresa e vetme për popullin. Kujtoni vuajtjet, kujtoni vëllezërit Dehari, kujtoni të burgosurit, kujtoni kërcënimet dhe rreziqet e Lëvizjes gjatë qeverisjes në Prishtinë.
Mos lejoni që inatet personale dhe kokëfortësia të ju ndajnë.
Për të mirën e përpjekjeve dhe mundimeve që i keni kaluar së bashku, ju lutem mos u ndani por bëhuni edhe më të bashkuar.
Mos ja humbni popullit edhe shpresën e fundit”.