Deputeti shqiptar nga Presheva, Riza Halimi në pyetjen që përsëri ia parashtroi Qeverisë serbe në Parlament, lidhur me kalimin kufitar në Miratoc, kërkoi sqarime për praktikën e gjertanishme negative të mosrealizimit të parimit për të drejtat e barabarta të qytetarëve.
Edhe pse para 11 viteve Qeveria serbe kishte aprovuar vendimin për hapjen e 3 kalimeve kufitare në Preshevë dhe 1 në Tërgovishtë, gjer më tani është hapur vetëm kalimi kufitar në Tërgovishtë, ndërsa edhe më tutje nuk u realizua asnjëri nga vendimet e Qeverisë për komunën e Preshevës madje nuk u hap as kalimi më i rëndësishëm kufitar në Miratoc, transmeton Titulli.com.
Në arsyetimin e pyetjes së tij deputeti Halimi paraqiti argumentet në bazë të cilave shihet se në rrugën lokale më të rëndësishe në komunë të Preshevës që i lidh vendbanimet më të mëdha të saja me vendbanimet në Maqedoni, para vendosjes së kufirit shtetërorë kishin qarkulluar autobusët 10 herë në ditë në kuadër të linjave të rregullta.
Mandej u theksua se është krejtësisht e pakuptimtë që kjo rrugë me rëndësi jetike po mbetet e mbyllur për qytetarët e të dy anëve të kufirit edhe pas 24 viteve, gjersa në këtë relacion aktualisht po lëvizin me mijëra refugjatë njësoj sikur gjatë embargos ndërkombëtare që ishte zhvilluar kontrabanda intenzive me derivatet e naftës e dirigjuar nga strukturat shtetërore.
Në situatë kur komuna e Preshevës, në kuadër të krizës së migrantëve, përveç përfitimeve periferike të një numri të individëve ka në anën tjetër dëmtime serioze në bujqësi, në ruajtjen e ambientit dhe në fushat tjera jetësore, rrjedhimisht iu shtrua pyetje plotësuese Qeverisë se pse në kuadër të angazhimeve të saja nuk po ndihmohet shërbimi i përgjysmuar i zjarrfikësve dhe emergjencës, ndërmarrja komunale dhe Shtëpia e shëndetit në Preshevë.
Gjithashtu me këtë rast deputeti i drejtoi pyetje edhe Agjencionit të privatizimit lidhur e ndërmarrjen tregtare “Bratstvo”. Është e njohur se kjo ndërmarrje tregtare ishte privatizuar në kushte diskriminuese për bizneset e komunës së Preshevës sepse ishte kërkuar që blerësi patjetër duhet të jetë pronar i hotelit me 4 yje. Pasi blerësi nga Vranja e kishte shitur një pjesë të lokaleve afariste me çmime shumëfish më të larta se çmimi blerës, Agjencioni për privatizim vendosi ta anuloj privatizimin e kësaj ndërmarrje.
Andaj deputeti Riza Halimi shtroi pyetjen se cili është statusi aktual i kësaj ndërmarrje dhe cili është fati i lokaleve afariste të cilat kanë mbetur pa u shitur para anulimit të privatizimit edhe se a do t’i mundësohet afaristëve vendor që në kushte të barabarta të marrin pjesë në blerjen e tyre.
Qendra për Informim e
Partisë për Veprim Demokratik