Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK) filloi sot punimet konferenca treditore, e gjashta me radhë, ,”FSK dhe Partnerët’’, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të ushtrive të vendeve partnere të MFSK-së dhe FSK-së dhe institucioneve vendore të fushës së sigurisë.
Me këtë rast, në fjalën e hapjes së punimeve të konferencës, ministri Haki Demolli tha se, qëllimi i konferencës ,,FSK dhe Partnerët’’ është rritja e bashkëpunimit të MFSK/FSK-së dhe shteteve partnere si dhe sinkronizimi i aktiviteteve në mënyrë që MFSK dhe FSK të kenë mbështetje për t’u zhvilluar në Forcë të aftë dhe profesionale.
Më tej, ministri Demolli tha se shtetet, përkatësisht ushtritë partnere të FSK-së kanë një rol të madh në avancimin e aftësive dhe kapaciteteve të saj. Zotëri Demolli shtoi gjithashtu se, të gjitha arritjet FSK-ja i ka bërë në bashkëpunim me partnerët e saj bilateral dhe me mbështetjen e tyre të përditshme, në përputhje të plotë me standardet e NATO-s.
Ministri i FSK-së, z. Haki Demolli, duke folur për procesin e transformimit tha se, zhvillimi i FSK-së në një fazë të ardhshme është thelbësore për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe komunitetet që jetojnë këtu. ,,Ne mund të qëndrojmë të gatshëm të mbështesim institucionet tona, duke arritur qëllimin tonë për të qenë një Forcë për të mirën e vendit tonë, kontribuuese e paqes dhe sigurisë në rajon dhe për t’u përballur me sfidat e sigurisë së bashku për një botë më të sigurt’’.
Në fund, ministri Demolli tha se MFSK dhe FSK në këtë konferencë do të paraqesin para jush arritjet, kërkesat për mbështetje në fushat të cilat i kemi identifikuar si më të rëndësishme për t’i zhvilluar më tej aftësitë tona, dhe besoj shumë, ashtu siç deri më tani, mbështetja juaj do të jetë e fuqishme.
Ndërsa, në fjalën e tij komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama falënderoi atashetë ushtarakë të vendeve partnere, pjesëmarrëse në konferencë, për kontributin e vazhdueshëm që vendet e tyre kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për ndërtimin, zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së.
Me nga një fjalë përshëndetëse në konferencë u paraqitën edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral Giovani Fungo dhe drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për MFSK/FSK-në, gjeneral Dietmar Mosmann.
Në seancën plenare, kryesuesi i konferencës, nënkolonel Ali Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për Bashkëpunim dhe Siguri prezantoi të arriturat e fundit të FSK-së në fushën e bashkëpunimit dhe sigurisë, ndërsa nënkolonel Enver Voca paraqiti një ekspoze të angazhimeve të FSK-së në ushtrimet jashtë vendit.
Ndërkaq, atashetë e vendeve si Shqipëria, Kroacia, Gjermania, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, oficerët kolonel Ahmet Leka, nënkolonel Mladen Cernicki, nënkolonel Martin Herrmann, nënkolonel Rusen Abidinoglu, nënkolonel Richard Perry dhe nënkolonel Brian Delvin paraqitën propozim-ofertat dhe kapacitetet mbështetëse, të cilat janë vënë në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës për vitin 2017 dhe 2018.
Në konferencën ,,FSK dhe Partnerët’’ po marrin pjesë atashetë e akredituar në Kosovë dhe rajon të shteteve partnere si: Shqipëria, Kroacia, Belgjika, Sllovenia, Republika Çeke, Gjermania, Hungaria, Italia, Japonia, Maqedonia, Holanda, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe atashetë e FSK-së të akredituar në SHBA, Turqi, Belgjikë, Shqipëri, Suedi, Gjermani dhe Turqi, gjithashtu edhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe zëvendësministri Muhamet Latifi, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, drejtori i Drejtorisë për Operacione në MFSK, gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtori i drejtorisë për Politika dhe Plane, z. Faruk Geci, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, drejtori i Departamentit për Operacione dhe Trajnime, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel Naim Haziri, oficerë të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe FSK-në, si dhe oficerë e zyrtarë tjerë të lartë të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.