Ertan Demiri është emëruar zyrtarisht në pozitën e drejtorit sportiv të SC Gjilanit, si rrjedhojë e ndryshimeve menaxheriale në klub.
“Përvoja shumëvjeçare në fushën menaxheriale në botën e futbollit do ta ndihmoj 45-vjeçarin nga Shkupi në sfidën e re sportive, e cila pritet të manifestohet nga një projekt shumë i qartë nga aksionarët e klubit”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit kuq e bardh.
Punën në këtë pozitë Demiri do ta nis nga ndarja e përgjegjësive për stafin teknik, i cili pritet të ngarkohet shumë shpejtë me detyra.
Pas marrjes së detyrës ai u shpreh i kënaqur me besimin nga drejtuesit e klubit, teksa ka folur në pika të shkurtra në lidhje me projektin dhe objektivin e klubit në vazhdim.
“Është më se e qartë që aksionarët e klubit dhe bordi drejtues kanë një projekt mirë të analizuar dhe ndjehem i vlerësuar që do jem pjesë e tyre në aspektin menaxherial. Gjilani është një klub që gjithmonë ka qenë ndër klubet elitare më konkurruese dhe një klub që Evropën e ka patur objektiv minimal”, ka thënë Demiri.
Ai tha se synojnë së pari të ndërtojnë një ekip të fortë konkurrues për t’i ndjekur objektivat, që normalisht do të jenë më të larta në vitet në vazhdim.
“Jam shumë i lumtur që kjo detyrë më është besuar mua nga Fatlum Pireva dhe Syart Rrahmani. Është nder dhe privilegj që të jem në projektin e njërit nga klubet më të mira në Kosovë, duke mos harruar, me njërën nga tifozëritë më të zjarrta”, ka thënë drejtori i ri sportiv i SC Gjilanit.
“Ekipi do të rindërtohet sërish. Kemi elemente pozitive brenda skuadrës, por normalisht që na duhen edhe ardhje për të ngritur nivelin dhe për të qenë sa më konkurues. Kjo pritet të jetë sfida më e fortë e ynë dhe për këtë do të punojmë pandërprerë. Këtë vit do jenë shumë skuadra të forta në lojë dhe në mesin e tyre do të jemi normalisht edhe ne”.
Ertan Demiri ka folur edhe për objektivat.
“Normalisht që objektivi është i qartë, ngritja e klubit në nivelet më të larta sportive. Do të punojmë shumë për ndërtimin e një ekipit kompetitiv për edicionet në vazhdim, pasi që kjo është vetëm një nisje e projektit dhe synojmë të vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme. Gjilani duhet të jetë në mesin e klubeve më të mira në vend, sikurse në pozitën tabelare, po ashtu edhe në përfaqësim ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Ndërsa, në lidhje me pritshmëritë, Demiri ka thënë se ka gjetur një klimë të jashtëzakonshme sportive dhe miqësore.
“Së bashku me stafin jemi të bindur që me përkushtim dhe me angazhimin e të gjithëve ne do të jemi brenda pritshmërive. Do jetë një sezon sfidues, por me punë synojmë t’i arrijmë të gjitha”, ka thënë tutje Demiri.
Ai tha se është koha e Gjilanit. Klubi është në duart e njerëzve që kanë vizion dhe guxim, mbi të gjitha janë korrekt financiarisht dhe tejet xhentëlmen.
“Pres nga komuniteti i futbollit gjilanas dhe gjithë tifozët që të na mbështesin nga fillimi sezonit, pasi që do jetë njëri ndër kampionatet më interesante në Kosovën e pasluftës dhe natyrisht që kemi nevojë për mbështetjen e gjithsecilit”, ka thënë Ertan Demiri , që është emëruar zyrtarisht në pozitën e drejtorit sportiv të SC Gjilanit. /2LONLINE/