Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, i udhëhequr nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka nisur javën studimore “Mobility Exchange for Staff and Students” në Universitetin PH Zug në Zvicër. Në përbërje të delegacionit janë edhe Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, anëtare e Këshillit Drejtues, Betim Berisha, U.D. udhëheqës i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, si dhe 11 studentë nga UKZ.
Rektori Dërmaku dhe ekipi i tij janë pritur nga Prof. Dr. Clemens Diesbergen, Prorektor për Çështje Akademike në PH Zug, dhe Shpresa Jashari, udhëheqëse e Programit të Mobilitetit.
Gjatë kësaj jave, studentët e UKZ-së do të kenë mundësinë të vizitojnë shkolla të ndryshme në Kantonin e Zugut, të marrin pjesë në aktivitete ndërkulturore dhe të eksplorojnë qytete të ndryshme të Zvicrës.
Një program i pasur me aktivitete është planifikuar për ditët në vijim, ku përfshihet një ligjëratë nga Prorektori Prof. Dr. Dukagjin Leka dhe Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, si dhe një prezantim nga studentët e UKZ-së. Po ashtu, pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje të re bashkëpunimi ndërmjet UKZ-së dhe PH Zug.
Delegacioni i UKZ-së do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e Universitetit të Lucernit, me të cilët është duke u përgatitur një program trajnues për vitin 2025. Ky program do të përfshijë stafin akademik, studentët dhe bizneset Start-Up, duke zgjeruar më tej mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky mobilitet përbën një hap të rëndësishëm për UKZ-në në thellimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke ofruar përvojë të vlefshme për studentët dhe stafin akademik. /2LONLINE/