Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” (UKZ), i përbërë nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka po vazhdojnë vizitën e tyre zyrtare në Poloni.
Ata kanë zhvilluar një vizitë në Universitetin e Drejtësisë në Varshavë. Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve në kuadër të projekteve të përbashkëta dhe iniciativave akademike.
Gjatë takimit, u trajtuan ide për projekte që do të aplikohen në thirrjet e ardhshme të Programit Erasmus+, organizimi i konferencave të përbashkëta shkencore, dhe krijimi i një shkolle verore në UKZ. Po ashtu, u diskutua fillimi i implementimit të një projekti për shkëmbim studentor, të ngjashëm me marrëveshjen që UKZ ka me Universitetin e Zug nga Zvicra. Një temë tjetër me rëndësi ishte edhe publikimi i punimeve shkencore të stafit akademik të UKZ në revistën prestigjioze të Universitetit të Drejtësisë në Varshavë.
Pas vizitës në Varshavë, delegacioni i UKZ vazhdoi me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore të Ndërdisiplinave “Contemporary management in the service of organizations” që po mbahet në qytetin Kalisz. Me këtë rast Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku mbajti një fjalë përshëndetëse gjatë hapjes së konferencës, ndërsa Prorektori Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, prezantoi punimin shkencor me temën “Integrimi i Kosovës dhe BE-ja në kohën e Euroskepticizmit”.
Kjo vizitë dhe pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare përfaqësojnë një hap të rëndësishëm për UKZ drejt forcimit të marrëdhënieve akademike ndërkombëtare dhe zhvillimit të mëtejshëm të projekteve për të përfituar studentët dhe stafin akademik. /2LONLINE/