Delegacioni i Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK-së) z. Rashit Qalaj, gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë, ka realizuar disa takime zyrtare me personalitete të larta të institucioneve mjaft të rëndësishme.
Në kuadër të agjendës disa ditore janë realizuar takime zyrtare, me zyrtarët e Sekretariatit të OSBE-së, konkretisht të Departamentit të Kërcënimeve Transnacionale, znj. Georgia Holmer, zt. Guy Vinet dhe zt. Deniss Cosgrove, pastaj takim me drejtorin e Byrosë Federale Austriake të Antikorrupsionit z. Andreas Wieselthaler me bashkëpunëtorë, si dhe takim me drejtorin e Agjencionit Federal të Inteligjencës Kriminale z. Michael Fischer, i cili shoqërohej edhe nga shefi i Interpolit Austriak, z. Rudolf Gross.
Përderisa sot me 14.11.2019, një ndër takimet e nivelit të lartë të realizuara nga drejtori Qalaj me bashkëpunëtorë, ishte takimi me drejtorin e Policisë së Landit të Vjenës Dr. Gerhard Pürstl, i cili ishte po ashtu me bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim u diskutuan tema të rëndësisë së dyanshme që preokupojnë qytetarët e dy kryeqyteteve përkatëse (Vjenës dhe Prishtinës). Ndër të tjera Dr. Pürstl e njoftoi drejtorin Qalaj me situatën e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet Policia e Vjenës, përfshirë edhe njoftimin se komuniteti i diasporës kosovare në Vjenë, krahasuar me komunitetet e tjera të huaja, përbën përqindje të vogël të pjesëmarrjes në kryerjen e veprave të rënda penale.
Në anën tjetër drejtori Qalaj bëri një rezyme të përgjithshme të situatës së sigurisë në Kosovë, duke potencuar edhe sfidat me të cilat ballafaqohet PK-ja, me fokus të veçantë në kryeqytetin e Kosovës.
Ishte qëndrim i përbashkët se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Policisë Federale Austriake është në nivel të mirë por gjithashtu të dy palët u zotuan për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit.
Në kuadër të bashkëpunimit Dr. Pürstl konfirmoi edhe pjesëmarrjen e tij në konferencën e drejtorëve të policive të kryeqyteteve të Evropës, e cila do të mbahet vitin e ardhshëm në Prishtinë.
Drejtori Qalaj ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve me të cilët ka realizuar takime, të cilat kanë rezultuar me zotimet për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me interes të përbashkët.
Një falënderim të veçantë Policia e Kosovës ia dedikon edhe Misionit të OSBE-së në Kosovë, për mbështetjen dhe përkrahjen në realizimin e kësaj vizite disaditore.