Në Sarajevë ka filluar punimet Seminari i 105- të “Rose-Roth” i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në bashkëpunim me Komitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë të AP të NATO-s, në të cilat po merr pjesë edhe delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO- s, i kryesuar nga Driton Hyseni dhe i shoqëruar nga Xhavit Haliti, anëtar.
Për tri ditë, sa do të zgjas seminari i 105-të “Rose-Roth” i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të analizohet situata politike dhe e sigurisë në rajon, shtensionimi i marrëdhënieve dhe ulja e tensionit nacionalist në mes vendeve e kombeve të shteteve të Ballkanit, me fokus në Bosnje dhe Hercegovinë.
Gjatë sesionit të paradites, derisa po dikutohej per sigurinë në rajon dhe ngjarjet e fundit të cilat paraqesin rrezik për sigurinë në rajon, siç është sulmi i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, fjalën e mori edhe Kryesuesi i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni, i cili ndër të tjera theksoi se është e rëndësishme të tregojmë se pavarësisht reduktimit të një pjese të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, e cila kishte shtuar numrin e pjestarëve të saj pas sulmit terrorist në shtator, bazat e ushtrisë serbe janë ende prezente në afërsi të vijës kufitare me Kosovën. Hyseni gjithashtu vuri në dukje se nga këto baza ushtarake dhe nga ndikimi i zyrtarëve shtetërorë serbë buron influencimi për tensione përmes strukturave kriminale në veri të Kosovës.
Tutje, Hyseni veçoi se situata aktuale është e qetë dhe se me zbehjen e ndikimit të strukturave të Serbisë në veri të vendit, qytetarët kanë filluar të jetojnë më mirë në këtë pjesë dhe normalizimi i plotë është në rrugën e duhur.
“Qytetarët në veri të vendit po pajisen me dokumentet e Republikës së Kosovës e gjithashtu edhe procesi i regjistrimit të veturave dhe paisja me tabela të Republikës së Kosovës është në nivel të kënaqshëm”, përfundoi Hyseni.
Ndërsa gjatë sesionit të pasdites, udhëheqësi i delegacionit të Kuvendit të Kosovës Driton Hyesni trajtoi sfidën e vendeve të Ballkanit, si dhe të vendeve të NATO-s, për zbehjen e interesimit të të rinjve per tu rekrutuar në forcat ushtarake.
Ndërsa në adresim drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, z. Elmedin Konakoviç, Hyseni uroi z. Konakoviç për ratifikimin e dy marrëveshjeve të arrituara përmes Procesit të Berlinit, por kërkoi informacion se kur Bosnja dhe Hercegovina do të ratifikojë në parlament edhe marrëveshjen për lëvizjen e qytetarëve mes shteteve vetëm me leternjoftim, duke insistuar që kjo të realizohet sa më parë.
Në seminar po marrin pjesë përfaqësuesit e delegacioneve të vendeve të ndryshme, anëtare ne Asamblenë Parpamentare të NATO-s. Gjatë ditës së parë të këtij seminari fjalën e morën, ndër të tjerë, Kemal Ademoviq, Kryetar i Dhomës së Popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Marina Pendes, Zëvendëskryetare e Delegacionit të Bosnjës dhe Hercegovinës në AP të NATO-s, Slaven Galic, Zëvendës Ministër i Mbrojtjes, Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe Pamela Mcgaha, komandante e shtabit të NATO-s në Sarajevë.
Çështjet të cilat u diskutuan sot përfshijnë zhvillimet e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë, promovimin e demokracisë dhe rritjes ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe perspektivën euro-atlantike të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Seminari dotë vazhdojë aktivitetin edhe gjatë dy ditëve të ardhshme. /2LONLINE/