Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje të deputetëve Driton Hyseni, kryesues i delegacionit dhe Xhavit Haliti, anëtar i delegacionit, është duke marrë pjesë në punimet e sesionit të 69-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet ne Kopenhagë të Danimarkës, datë 7 – 9 tetor.
Delegacioni dje gjatë ditës përcolli punimet e Komisionit për Politikë gjatë të cilave u trajtuan tema të ndryshme në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të komunitetit veri-atlantik. Sot delegacioni ka marrë pjesë në punimet e Komisonit për Mbrojtje dhe Siguri, në të cilat, ndër të tjera u prezantua hulumtimi i znj. Marina Vulovic, nga Institutit Gjerman për Politikë Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, lidhur me sfidat politike dhe të sigurisë në dialogun Kosovë-Serbi.
Gjatë këtij diskutimi, Kryetari i Delegacionit z. Driton Hyseni në fjalën e tij, fillimisht falënderoi prezantuesen për ekspozenë, pastaj u ndërlidh me fjalën e delegacionit nga Serbia, i cili delegacion edhe kësaj radhe iu referua Kosovës si pjesë integrale e Serbisë, duke quajtur Kosovë dhe Metohi. z. Hyseni i përkujtoi delegacionit serb që Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht nga 117 shtete, emri i saj është Kosovë, si dhe subjektiviteti i saj është i pacënueshëm. Më tej, përkujtoi të pranishmit se komuniteti serb është shumicë në dhjetë komuna por problemet hasen vetëm në katër komunat veriore për shkak të synimeve territoriale të Serbisë. Pra, të influencojë dhe potencialisht të aneksojë atë pjesë të Kosovës.
Lidhur me situatën në veri, deputeti Hyseni solli në vëmendje punën e madhe të institucioneve të Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të territorit, i cili për shumë vite është mbajtur në tension nga struktura e grupe kriminale, të kontrolluara direkt nga Presidenti i Serbisë Vuçiç. Nënvizoi se sulmi në Banjskë kishte synim cënimin e tërësisë territoriale të Kosovës dhe nga ajo që është evidentuar nga Policia e Kosovës, sulmi është bërë nga eksponentë të mbështetur nga Presidenti i Serbisë dhe kjo është dëshmuar me foto e video të armëve të përdorura nga ky grup, ku shumica prej tyre janë të prodhuara në Serbi dhe të përdorura nga ushtria serbe. Ftoi komunitetin ndërkombëtar të merr seriozisht sulmin në Basnjskë dhe vendosë sanksione Serbisë që do ta vetdijesonin që veprime të tilla nuk do të tolerohen.
Për temën e trajtuar kishte interesim të madh të delegacioneve të cilat ishin pjesë aktive e diskutimit. /2LONLINE/