Përfaqësues të lartë të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga komandanti i Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Brigade Naim Haziri zhvilluan vizitë zyrtare në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë kësaj vizite delegacioni i FSK-së u prit në Ministrinë e Mbrojtjes nga Drejtori i Përgjithshëm i politikave të Mbrojtjes, Z. Gjergji Methoxha si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Arben Kingji, për të vazhduar me pas takimin me Komandantin e Forcave Tokësore Gjeneral Major Ilir Xhebexhia dhe me nikoqirin e vizitës zv. komandantin e Komandës Mbështetëse, kolonel Shkëlqim Çela.
Gjeneral Haziri në emër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari falënderoi, për mbështetjen e vazhdueshme që po japin Forcat e Armatosura të Republikë së Shqipërisë në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.
Qëllimi i takimeve ishte bashkëpunimi i ngushtë mes Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe vazhdimin e mëtejmë te bashkëpunimit ne te gjitha fushat. /2LONLINE/