Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot 29 gjyqtarë të rinj me mandat fillestar për tri vite.
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, me rastin e betimit të gjyqtarëve të rinj, tha se gjatë punës së tyre të mbizotërojë integriteti dhe profesionalizimi duke kontribuar në një sistem që garanton barazi dhe drejtësi.
Ndërsa, gjyqtarët e rinj u betuan se gjatë kryerjes së detyrave do të qëndrojnë besnik ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke respektuar në tërësi edhe rregullat e etikës profesionale.
Pas ceremonisë se dekretimit, gjyqtarët e rinj janë pritur në takim nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj me ç’rast uroi gjyqtarët e rinj për dekretim si dhe kërkoi përkushtim dhe angazhim sa më të madh, me qëllim të forcimit të sistemit gjyqësor.
Gjyqtarët e rinj të emëruar sot, do të caktohen nëpër gjykatat themelore të Republikës së Kosovës. /2LONLINE/