Jemi dëshmitarë të një filmi të animuar që po na servohet qysh nga fushata zgjedhore e sidomos pas datës 11 qershor kur edhe u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Arbër Rama
Koalicione parazgjedhore të zorit e të panatyrshme që ka muaj që mundohen të na i shesin si zgjedhje e duhur për popullin e Kosovës e që në të vërtetë populli foli në kutitë e votimit se a ishin të duhura apo jo këto koalicione, ku pritshmëritë e tyre ishin të jashtëzakonshme, mirëpo siç duket nuk i kishin bërë mire llogaritë.
Vendi ynë është në kohën më të rëndësishme përgjatë rrugës për integrim euro-atlantik dhe njëjtë sikur në vitin 2014 jemi futur në një qorrsokak politik.
Athua vallë edhe sa kohë ne qytetarët e këtij vendi, do jemi pre e inateve politike mes ‘’liderëve’’ të subjekteve politike shqiptare?!
Si për ironi, Lista Serbe deklaroi sot se është e gatshme që sa më shpejtë të krijohen institucionet që të punohet për një jetë më të mire për qytetarët por janë duke i pritur partitë shqiptare që të dakordohen mes vete dhe të arrihet konsensus.
Koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve, PAN përmes përfaqësuesve të tyre çdo ditë deklaronte se PAN-i i ka numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë Haradinaj.
Dje me datën 3 Gusht, këto proklamime të tyre u hodhën poshtë kur filloj mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit.
Sipas z.Hoxhaj nga PDK atyre ju dështoj në sekondat e fundit NJË votë dhe atë votë u munduan ta rikthenin brenda atij dyorëshit të kërkuar dje, gjë e cila ju dështoj pasi ata pas dy orëve lëre që nuk siguruan votën e 61-të për të zgjedhur z.Veseli kryetar të Parlamentit por ata nuk u shfaqen madje fare në seancë.
Kjo është një lojë kohe dhe nervash si me popullin po ashtu edhe me protagonistët tjerë brenda Kuvendit të Republikës të cilët nuk ‘’fituan’’ zgjedhjet e 11 Qershorit mirëpo aktualisht kanë shumicën parlamentare.
Një moment i vështirë për PAN-in e sidomos për PDK-në e cila nga 36 deputetët e legjislaturës së kaluar ka mbetur me 23 të tillë dhe tashmë e kushtëzuar nga LVV dhe LAA që nuk do ta përkrahin të parin e këtij subjekti për kryetar të kuvendit.
Të gjendur në këtë pozitë të sikletshme PAN-in e ka kapluar paniku, panik i cili po e mbanë peng konstituimin e Kuvendit dhe jo vetëm pasi që ky panik i humbjes së pushtetit në cilësinë e fituesit të zgjedhjeve po sjellë bllokada të cilat po e kthejnë Kosovën hapa prapa në çështjen më të rëndësishme të saj, rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Unë, aktualisht shoh vetëm dy zgjidhje për të quar proceset përpara:
Skenari i parë është një qeveri gjithëpërfshirëse me mandat 12 deri në 18 muaj e cila do t’i përfundonte të gjitha proceset e rëndësishme si votimi i demarkacionit, asociacionit, ushtrisë dhe kryerja e reformës zgjedhore dhe mandej shkuarja e vendit në zgjedhje tjera, nga ku do të dilnin institucione kredibile dhe të qëndrueshme për një mandat të plotë 4 vjeçar.
Skenari i dytë është një qeveri e qëndrueshme me 67 numra shqiptarë e cila krijohet nga LVV-LAA-NISMA.
Pse NISMA?!
Interesante është gjendja dhe forca që ka NISMA, e cila në fillim pati 8 deputetë të konfirmuar mirëpo pas deklarimit të saj që do të regjistrohet si grup i veçantë parlamentar pas disa ri-numërimeve, çuditërisht QNR-ja në Fushë Kosovë e ktheu atë në 6 deputetë dhe PDK kaloj nga 21 në 23…
NISMA mund të ketë përsëri rol strategjik sikur në rrëzimin e qeverisë së kaluar dhe mund të jetë protagoniste e zhbllokimit të situatës së krijuar, duke e ditur se me sa ‘’dëshirë’’ janë bërë pjesë e këtij koalicioni parazgjedhor.
Kjo qeveri nuk do të ishte e varur nga numrat e Listës Serbe që vepron me urdhra të Beogradit dhe nuk do të paraqiste problem tejkalimin e çështjeve me rëndësi që kërkojnë 2/3 në votim e kur ja bashkangjesim këtë edhe 20 minoritete atëherë kemi një qeveri më të fuqishme se ajo e vitit 2014 ku bashkqeverisën PDK-LDK-Minoritetet.
Kjo klasë politike duhet të reflektojë dhe nuk duhet të shkatërrojë gjithçka me ëndrrën e vetme për të qëndruar në pushtet.
Nëse nuk do të ishte zgjidhje ndonjëra nga dy skenarët e lartpërmendura mjafton vetëm zhbllokimi i situatës në çfarëdo versioni dhe krijimi i institucioneve të qëndrueshme dhe jo të varura nga Beogradi siç po mundohet koalicioni PAN që me 61 numra të krijoj qeveri ku gjysma nga 20 minoritetet në Kuvend janë të kontrolluara nga Aleksander Vuçiç.