Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, ka reaguar pas deklaratës së Prokurorit Williamson, duke thënë se Kosova duhet të ballafaqohet me njerëzit që kanë keqpërdorur luftën për përfitime politike dhe ekonomike. “Ne si shoqëri sot duhet të ballafaqohemi me bashkëjetesën 15 vjeçare me krimin e organizuar. Kësaj bashkëjetese duhet t’i vijë fundi. Sot duhet të tregojmë që i përqafojmë vlerat civilizuese për të ardhmen e vendit tonë”, ka shkruar Deda.
Lexojeni të plotë deklaratën e Dedës
Nga leximi i deklaratës të prokurorit special Williamson:
Sot u pa qe lufta e popullit tonë për liri ishte e drejtë. U pa që shumica e luftëtarëve për liri luftuan për ideal. Megjithatë, u pa edhe keqpërdorimi i forcës nga ana e disa udhëheqësve të ish-UÇK-së për pasuri e pushtet.
Mbetet një hije e tmerrshme që nuk u hodh poshtë “dyshimi i bazuar” se ka pasur trafikim organesh. Është konfirmuar pastrimi i organizuar etnik dhe vrasja e organizuar e kundërshtarëve politik në Kosovë. Si dhe një krimesh tjera të rënda.
Ne si shoqëri sot duhet të ballafaqohemi me bashkëjetesën 15 vjeçare me krimin e organizuar. Kësaj bashkëjetese duhet t’i vijë fundi. Sot duhet të tregojmë që i përqafojmë vlerat civilizuese për të ardhmen e vendit tonë. Sot duhet t’a nisim një kapitull të ri për t’i mbetur besnik idealeve tona për liri, dinjitet dhe zhvillim.