Dardanapress mbanë tryezën e parë lidhur me ngritjen dhe vetëdijesimin e qytetarëve për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit Komunal.
Organizata Jo-qeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Rritja e transparencës, ndërgjegjësimi i qytetarëve përmes qasjes aktive në proceset vendimmarrëse” si pjesë e projektit “Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD”që financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP)në Kosovë, ka mbajtur tryezën e parë lidhur me ngritjen dhe vetëdijesimin e qytetarëve mbi pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe për të marrë pjesë në Seancat e Kuvendit Komunal.
Qëllimi i organizimit të tryezës ishte përfshirja e Organizatave të Shoqërisë Civile, Mediave Lokale dhe Shefave të grupeve parlamentare për të parë se cilat janë kërkesat e qytetarëve karshi adresimeve Kuvendit Komunal si dhe diskutimet se ku qëndron problemi i pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në vendimmarrje.
Përfaqësimi i qytetarëve në vendimmarrje sipas diskutimeve është shqetësues duke përfshirë rolin e anëtarëve të kuvendit,prandaj kërkohet të rritet cilësia e debatit në Kuvend e cila është më se e domosdoshme.
Pjesëmarrësit gjatë diskutimeve kanë shpreh mendimet e tyre lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje ku janë nxjerrë edhe disa konkluzione dhe rekomandime.
Si rekomandim kryesor i dalë nga tryeza është vendosja në funksion e mekanizmave me të cilat disponon kuvendi komunal, qeverisja komunale, si dhe me një vullnet politik nga ana e partive politike, me një fushatë vetëdijësuese nga ana e shoqërisë civile do të kemi një rritje të dukshme të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë:anëtarët e kuvendit komunal,qytetar,zyrtarja për barazi gjinore,grupi joformal i grave,anëtarët e Handikosit,përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe mediet lokale.
Projekti ReLOaD mbështet institucionet lokale (komunat) në zhvillimin e mekanizmave transparent të financimit për OSHC-të në mënyrë që të përmirësojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët në komunitetet lokale.