Në kuadër të vizitës zyrtare në Francë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, u prit në një takim të rëndësishëm, nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Francës, Claude Perrin.
Në këtë takim, zëvendësministri Syla ishte i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës, në Francë, Mehdi Halimi, delegacioni nga Ministria e Mbrojtjes dhe këshilltari i jashtëm i zv. Kryeministrit, Sabastien Gricourt.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku diskutuan për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Me theks të veçantë, ata u dakorduan në angazhimin e përbashkët për të avancuar bashkëpunimin ushtarak dhe për të promovuar stabilitetin dhe paqen në rajon.
Me këtë rast, zëvendësministri Syla u shpreh se ky takim shërben si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Francës. /2LONLINE/