Përfaqësuesit e Këshillit Nacional Shqiptarë në Luginën e Preshevës, në përpjekje që të sigurojnë tekste mësimore për nxënësit shqiptarë të kësaj zone, kanë nënshkruar një marrëveshje me përfaqësuesit e Ministrisë serbe të Arsimit. Marrëveshja parasheh përkthimin e teksteve mësimore të lëndëve shkencore.
Marrëveshja në parim është pranuar nga Ministria serbe e Arsimit, por kontestuese mbetet kërkesa e Këshillit Nacional për mundësinë e përkthimit të teksteve në bashkëpunim me dy ministritë shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, shkruan Titulli.com.
Sigurimi i teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë tash e disa vite është sfidë e pakalueshme e përfaqësuesve politik të shqiptarëve të Luginës.
Muaj më parë u kthyen më se 100 mijë tekste mësimore dhuratë e Ministrisë së Arsimit, në Kosovë, nga Presheva, meqë Serbia nuk i lejonte për përdorim.
Disa mijëra tekste vite më parë janë uzurpuar nga Ministria serbe e Punëve të Brendshme, meqë ishin futur ilegalisht nga Kosova. Ndërkohë përpjekja e fundit duket një formë e re e tendencës së sigurimit të teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë të Luginës të cilët më se dy dekada nxënë diturinë përmes metodës së diktimit.