Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka folur para gazetareve në prag të dy ndeshjeve përfundimtare të verdhekaltërve në fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2020.
Challandes ka thënë se është befasuar me fitoren e Çekisë ndaj Anglisë, por e ka merituar.
Mirëpo, sipas tij për të shkuar në Evropian, Kosovës i duhet të jetë e bashkuar dhe të ketë teknikë.
Mentaliteti i lojtarëve tanë është lart, por kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse dëshiron të shkosh në Evropian, nuk mjafton shpirti. I rëndësishëm është mentaliteti teknik, kualiteti, taktika, sulmi, mbrojtja, mesfusha. Ne duhet të luajmë futboll. Të luajmë mirë së bashku. Unë nuk flas për dobësitë e kundërshtarit. I kam parë të gjitha ndeshjet e tyre. E kam parë edhe dy herë ndeshjen e parë që e kishim ndaj çekëve. Ne kemi fituar, të gjithë ishin të lumtur, por nuk e kanë analizuar lojën. Dy muaj më vonë e kam parë lojën dhe nuk mendoj se duhet të luajmë më mirë, jo si në atë ndeshje. Gjithçka nis me mentalitetin, është baza.
Ai ka folur me theks të vecantë për ndeshjen ndaj Çekisë, në një përgjigjie të gjatë analitike.
“Rezultati arrihet nëse luajmë mirë. Ne duhet të luftojmë, të vrapojmë, të kemi vendosje të mirë taktike, të tregojmë mentalitet të tillë në çdo ndeshje. Duhet ta bëjmë një paraqitje të madhe. Çekia e ka një ekip mjaft të mirë. Na pret një ndeshje mjaft e rëndësishme. Duhet ta kemi një paraqitje sa më mbresëlënëse. Presioni që ju bëj unë lojtarëve është qe ta japin gjithmonë më të mirën, e jo për rezultatin. Ne duhet të jemi të qetë, të luajmë futboll. Ne duhet të jemi ‘cool’, ta shijojmë lojën, të kënaqemi. Kur kanë nisur kualifikimet askush nuk ka menduar se do të jemi këtu sot. Pra, mos të jemi pa emocione, por të luajmë pa presion. Është lojë ngazëlluese, por nuk është loja e jetës. Shpresojmë që ta bëjmë lojën e jetës, por në aspektin e presionit, s’duhet ta shohim ashtu. Ne duhet ta bëjmë këtë lojë që më pas ndoshta ta kemi lojën e jetës.Shumë njerëz thonë se duhet të fitojmë gjithsesi, se nëse nuk fitojmë ndaj Çekisë, do të jemi të mbaruar. Por, unë nuk e shoh ashtu. Ne duhet të bëjmë lojë të madhe, të mrekullueshme. Dhe, nëse luajmë ashtu, ndoshta do të jetë e mjaftueshme për fitore. Por, asnjëherë nuk do t’i them ekipit e duhet të fitojmë gjithsesi.
Nëse do të isha Ëilliam Shakespeare, “do të thosha të jesh apo të mos jesh”, ka thënë ndër të tjerash Challandes, duke vazhduar: Por, unë nuk mendoj kështu. Nëse e kujtojmë shortin, kemi thënë se do të luajmë për të përparuar, të zhvillohemi, të ecim përpara, por jo t’i vëmë vetes presion