Kosova mahnitëse, Kosova e frikshme, Kosova e pandalshme. Këta ishin tituj që pushtuan mediet ndërkombëtare pas fitores së Kosovës ndaj Malit të Zi, e të cilat vazhdojnë të mos e kenë shumë të qartë se si një vend aq i vogël, i dalë nga një luftë e tmerrshme, po bën hapa gjigantë për një periudhë kaq të shkurtër.
Askush nuk kishte besuar se Kosova në eliminatoret e para për Evropian do të jetë tema më e diskutuar, por ja që Kosova e Challandesit e arriti këtë, madje nuk po lë më vend as për befasi. Nga sukseset e Kosovës tash askush më nuk po befasohet.
Njeriu i parë i futbollit të Kosovës, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka rrëfyer gjerë e gjatë për rrugëtimin e Përfaqësueses së Kosovës, për të arriturat, për befasitë, për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, për pritshmëritë, për ëndrrën e tij, për kualifikimin në Kampionatin Evropian, për të ardhmen e trajnerit Challandes.
E ardhmja e Challandesit
Presidenti i FFK-së ka zbuluar një fakt interesant për tifozët e Kosovës, duke thënë se trajneri Challandes do të jetë këtu gjatë.
“Challandesi do të jetë me neve deri në pension. Dihet që trajnerët mbahen me rezultate, por Challandesi bën punë jo vetëm me pjesën e ekipit A, por është shumë i angazhuar edhe në punë tjera. Ne e kemi një sistem bazik se si t’i ngremë talentet tona të reja. E kemi parë që futbollistët e moshave të njëjta nuk kanë zhvillim të njëjtë. Pra për ata që jetojnë këtu ka ngecje nga moshatarët e tyre që jetojnë në Zvicër e në Gjermani dhe me Challandesin po e bëjmë punën ta fusim të njëjtin mentalitet, që të jetë i barabartë zhvillimi i talentit këtu më atë të Evropës. Ne jemi duke e kërkuar fajtorin pse nuk po zhvillohet talenti këtu si duhet, a është faktori infrastrukturë, puna profesionale ose çështja ekonomike? Këtë jemi duke e hulumtuar me ekspertë dhe bashkë me Challandesin po shohim ta gjejmë zgjidhjen më të mirë”, ka deklaruar Agim Ademi.
Challandesi te Kosova ka ardhur në kohën e ish-kryetarit të ndjerë, Fadil Vokrri