Një vështrim i vonuar mbi vëllimin poetik “Gri” të autorit Izet Abdyli
Çfarë fshihet pas lotit të poezisë së autorit Izet Abdyli
Nga Odise Plaku – Shkrimtar
Të lexuarit shpesh herë vjen përmes një teke, ti e tërheq një libër nga rafti i bibliotekës, e rrotullon nëpër duar dhe, më pas e vendos sërish atje nga e ke nxjerrë.
Por këtë herë ishte një rast tjetër. Libri me poezi “Gri” i autorit Izet Abdyli çuditërisht ishte futur mes një libri tjetër. E kujtoja, që Izeti ma kishte dhuruar këtë vëllim me poezi dhe i kisha premtuar ta lexoja, por kjo fshehje ma kishte hequr nga mendja, derisa sot, duke gërmuar si zakonisht, zbulova që “Grija” ishte aty duke pritur ta lexoja.
Izeti paraqitej i paqtë në çdo takim që kishim pasur në eventet tona poetike në Kosovë, por tashmë më erdhi rasti ta zbuloja në një tjetër anë: atë të botës së tij shpirtërore të derdhur në vargje.
Vëllimi me poezi Gri është i përbërë nga disa cikle poezish të titulluara “Një pikë loti”, “Seç më dogji malli”, “Për buzëqeshjen” dhe “ Sall një fjalë e mirë”. Pra, në këto katër dyer ecën bota në krijimtarinë e këtij vëllimi.
Teksa kam lexuar pjesën e parë “Një pikë loti” natyrshëm më ka lindur pyetja se çfarë fshihet pas pikës së lotit të Izetit. Edhe pse poeti na e tregon që në poezinë e parë të titulluar “Një pikë loti” ku shkruan:
“Loti e dhembja s’janë sall vuajtje
Kanë edhe dashuri
Lumë kush kalon valët e jetës
E mbetet njeri”.
Por ky është vetëm fillimi i skicimit të një tabloje, e cila do të pasurohet nga sytë, nga rrezet e diellit, nga enigmat e një rrëshqitje dhe udhëtimi të kësaj pike loti.
“Sytë e tu
Thellësi deti”
do të shkruaj po në poezinë “Sytë” për të shkuar edhe më tej që ato dy njolla drite në fytyrën e njeriut kanë diçka akoma dhe më të shumtë:
“Sytë e mi
Rreze dielli”.
Mjaftojnë këto vargje të shkëputura për të parë çfarë ndjeshmërie jetësore mbart në brendësi të shpirtit të tij poetik herë i hapur e herë i ndryrë si një shpirt i trazuar, që nuk e lëshon lehtë lotin e tij, por e mban të mbyllur thellësive të qenies, ashtu të burgosur, ta mbajë për veten dhe askush mos t’ia shikojë. Qëllon që edhe lotin e qeshin, e tallin e përbuzin, por kurrsesi autori nuk do ta pranonte diçka të tillë. Si çdo njeri edhe ai kërkon një rrugë për të ecur, për të shporrur vetminë, për të hedhur tej dëshpërimin e në fund të ulet diku në një anë rruge, nën një strehë, të shtrihet edhe mbi bar për të gjetur ngushëllimin e vetes.
Në katërmbëdhjetë poezitë e ciklit “Një pikë loti” do të kemi tablo të ndryshme poetike që mbërthehen dhe nuk lëshohen nga ndjesitë jetësore si për poezinë, për jetën a për mallin.
“Jetës nuk i dihet
Mund të ik një ditë
E malli për ty
Përditë po më mbyt”
E si të gjithë njerëzit edhe poeti Izet Abdyli endet nëpër rrugët e Bosforit, me një dilemë sesi do t’ia bëjë që ta kthejë dhe një herë kohën e shkuar.
Në ciklin e dytë “Seç më dogji malli” do të shfaqet një poet i cili nëse do të kishte pasion pikturën apo do të ishte një piktor në profesion do të ishte artist në plot kuptimin e fjalës në zhanrin e peizazhit. Valbona dhe liqeni luhen me penelata poetike nga poeti për të ecur pastaj edhe nëpër rrugët e Prishtinës, ku çuditërisht ka sërish mall. Por nuk lë pas dore edhe detin me kaltërsinë e tij si dhe një ditë me brymë që venit befas shpresat në lulëzim.
Një ndjenjë që edhe këtu poeti nuk do t’i shpëtojë grackës së saj, përkundrazi merr trajta të ndryshme e përsëri mbetet “Mall” si tek poezia që mban në kapitullin e këtij vëllimi.
“Për shiun që rrëshqet xhamave
Si një pikë loti
Seç më dogji malli
Sot”
Ndoshta diçka e fshehtë ende mbetet e gjallë në shpirtin njerëzor të poetit, ashtu siç ndodh rëndom te të gjithë krijesat njerëzore nga koha e shkuar.
Por tepër emocionale dhe trazuese janë vargjet e poezisë “Të pagjeturve” që teksa e lexoja më solli ndër mend emocionet e një takimi në Gjakovë në prezantim të poezisë “ Numëratori i dhimbjes” kushtuar jetës së humbur të mbi 1600 shqiptarëve të kësaj treve.
Edhe pse nuk jetojnë apo nuk dihet fati i tyre poeti është i sigurte se veç një tokë do t’i tretë:
“në dhe të huaj i degdisën
të na shtojnë dhimbjen
trupat tuaj si tret tokë e huaj
sall dheu i vendlindjes”.
Në ciklin “ Për buzëqeshjen” mendova se do të shpëtoja nga ajo botë plot emocione dhe ndjesi të shpirtit, por nga njëra poezi te tjetra shkalla e ndjeshmërisë rritej e të robëronte. Gati pesë a gjashtë poezi të fillimit e kishin merakun te buzëqeshja e teksa mendoje se ishte mbyllur ky kapitull do të vinte radha të lexoje poezinë “ Prapë për buzëqeshjen”, ku poeti deklaron në mënyrë solemne vetëm me katër vargje në dy të fundit do t’i vërë kapak gjithçkaje”
“për buzëqeshjen tënde do t’i duroj sharjet,
Sall ta shoh fytyrën të ndrij sikur nur”.
Me një stil të veçantë dhe me një thjeshtësi në dukje, por me zgjuarsi artistike dhe gjuhësore autori do të fillojë të bëj një portret duke u përqendruar së pari në një pagëzim vargjesh me një portretizim të dikujt, pa emër, por mbështjellë me shumë dashuri. E pas kësaj poezie autori do të vazhdojë të skalisë elementet e një portreti si me gushën, faqet, buzët, syrin e flokët.
Kur mbaron së lexuari fantazia të shtyn ta ndërtosh të plotë portretin, që autori e ka ende para syve, për t’i bërë ndoshta në një të ardhmen një portretizim, ndoshta dhe më të zhveshur, dhe pa kamuflime si në këto katërvargjëshe që sjell në lexim.
Në ciklin e katërt “Sall një fjalë e mirë” poeti gdhend një monument për pishtarët e arsimit, mësuesit, të cilët në sytë, mendjen dhe zemrën e poetit mbeten simbol atdhedashurie. Po me këtë ndjenjë krenarie autori përshkruan figurën heroike të Idriz Seferit dhe si mjeshtër i përshkrimit poetik autori do të shprehet:
“Mjaftoi një zë kushtrimi nga Karadaku plak
lëndina u mbush me trima
nga maja e Lypetenit
plisbardhët zbresin varg e varg…”
Në këtë cikël do të ndeshim në emra konkretë, në jetë, në lidhje gjaku, në kontribute, në memorje për çfarë ka shkuar e çfarë ndodh në të tashmen për të vargëzuar një nga krijimet e tij kushtuar gjithë miqve dhe kolegëve artistë: te krjimit:
“Poetët nuk vdesin
Ata kthehen në lule
Na dehin me aromë”
apo
“Poetët nuk vdesin
Ata kthehen në yje
Rrugët i ndriçojnë”.
Në tërësinë e krijimtarisë së këtij vëllimi ka një tematikë të larmishme që edhe pse ndodh të ketë në qendër të njëjtën fjalë serviret poetikisht në mënyrë të veçantë nga autori duke krijuar kështu një tërheqje për ta lexuar me ëndje.
Vargu i poetit është i disallojësh duke sjellë kështu individualitetin e tij krijues që mbart brenda si qartësinë e mendimit, por edhe anën figurative që shoqërohet me fjalë formime të këndshme.
Ndoshta pak vonë, por më mirë që ndodhi kështu pasi në këto ditë të freskëta të vjeshtës së tretë një gotë verë dhe poezitë e Izet Abdylit shoqërohen më së miri me njëra-tjetrën. /2LONLINE/