Shkruajnë: Naim MUSLIU & Fitim RIFATI
(2LONLIEN) – Vitet 1912 dhe 1913 shënojnë një periudhë mjaft të ndjeshme në historinë e popullit shqiptar. Në njërën anë shqiptarët përmbyllën një kapitull të historisë së tyre nga sundimi osman, duke krijuar premisat për organizimin dhe konsolidimin shtetëror të tyre, ndonëse i përcaktuar nga fuqi të brendshme dhe të jashtme në një territor të kufizuar etnikisht në masë nga elementi shqiptar, ndërsa në anën tjetër ricopëtimi territorial dhe ndarja e shqiptarëve pati pasoja të mëdha në përpjekjet për bashkimin e tyre.
Shtetet ballkanike si Bullgaria, Serbia, Greqia, Mali i Zi, të fuqizuara si faktorë politik dhe ushtarak, tashmë shfrytëzonin koniunkturat e kohës (dobësimi i Perandorisë Osmane dhe rivaliteti i Fuqive të Mëdha) për të sendërtuar planet e tyre ekspansioniste. Domosdo, për të realizuar synimet e tyre për zgjerimin territorial, ato do duhej fillimisht të rreshtoheshin në njërin nga blloqet e Fuqive të Mëdha, Antantës apo Bllokut Trepalësh, ose të lidhnin marrëveshje ushtarake dhe politike ndërmjet tyre. Shënjestër e ndarjeve territoriale ishin viset ballkanike të Perandorisë Osmane, e cila kishte marrë trajtën e një shteti po ruante kufijtë e tij, tashmë edhe ashtu të brishtë. Ishte e qartë se i vetëm çdonjëri nga shtetet ballkanike nuk do të mund ta sfidonte ushtrinë osmane në arenën e luftës. Mirëpo, politika e status quo-së që ndiqte faktori ndërkombëtar karshi Perandorisë Osmane i zgjaste asaj autoritetin në viset ballkanike dhe vise të tjera që akoma ishin nën sundimin osman. Në këtë kontekst, në raport me Perandorinë Osmane, çështja shqiptare në agjendën e kancelarive diplomatike të shteteve ballkanike trajtohej si hapësirë territoriale që do të plotësonte apetitet e tyre ekspansioniste. I vetëdijshëm për këtë kërcënim serioz, faktori shqiptar synonte të luante një rol koheziv nga brenda, i cili domosdo do duhej të prodhonte efekte për arritjen e aspiratave kombëtare.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare si zgjidhje më optimale e çështjes shqiptare shikonte autonominë territoriale dhe administrative të Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane, që faktikisht nënkuptonte edhe njohjen zyrtare në arenën ndërkombëtare të statusit dhe kufijve të këtij konfiguracioni të ri. Mirëpo, Porta e Lartë perspektivën e një shteti autonom shqiptar e shihte me skepticizëm dhe si rrezik në raport me kërkesat e ngjashme të popujve të tjerë të Perandorisë, prandaj vendosi të luftonte çdo përpjekje që ndërmerrej në këtë drejtim. Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912, ndonëse teorikisht dhe praktikisht arriti në rezultate konkrete që krijonin parakushtet e nevojshme drejt një shteti autonom shqiptar, provokoi aktivizimin e Aleancës Ballkanike, gjë e cila i shpuri shqiptarët përballë agresorëve të rinj. Në këto rrethana, lufta e shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane drejtpërdrejt prekte dhe cenonte viset shqiptare dhe i përfshinte ato në një rrezik të madh që pati për konsekuencë ricopëtimin e tyre, masakrimin dhe dëbimin e mijëra shqiptarëve nga trojet e veta.
Ndonëse e qartësoi fatin e Shqipërisë, Shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, nuk gjeneroi me njohjen e saj nga shtetet agresore ballkanike dhe dy blloqet e kohës, por e shndërroi këtë çështje dhe çështje të tjera në një problem diplomatik ndërkombëtar, i cili duhej të zgjidhej ndërmjet Fuqive të Mëdha. Kështu, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912 – 12 gusht 1913), në të cilën morën pjesë përfaqësues nga gjashtë Fuqitë e Mëdha: Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Italisë, statusin politik të Shqipërisë nuk e zgjodhi konform vendimeve të 28 Nëntorit të vitit 1912 në Vlorë, aq më pak nuk u mor parasysh parimi etnik për zgjidhjen e çështjes së kufijve. Pavarësisht rolit konstruktiv që luajtën dy fuqitë e kohës, Austro-Hungaria dhe Italia, viset shqiptare u ricopëtuan në favor të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, ndërsa Principata e Shqipërisë do të përfshinte një territor më pak se gjysma e viseve shqiptare të kohës, nën drejtimin e një princi që do të caktohej nga Fuqitë e Mëdha. Ishte ky një vendim që reflektonte në përvojën e disa shteteve ballkanike si Rumania, Bullgaria apo Greqia, të cilat fillimisht kishin në krye princa të huaj. Fuqitë e Mëdha ishin në dijeni se këtë vendim karshi çështjes shqiptare e kishin marrë në mënyrë arbitrare si flijim për ruajtjen e paqes ndërmjet tyre.
Dëmtimi që iu bë shqiptarëve nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër doli të ketë pasoja tragjike dhe afatgjata. Kosova dhe vise të tjera shqiptare që i kaluan shteteve ballkanike u përballën me një dhunë dhe presion ushtarako-policor, i cili reflektoi edhe në hartën demografike në kuptimin etnik të popullsisë shqiptare, duke ndryshuar strukturën shoqërore dhe atë kulturo-arsimore. Më keq pësuan shqiptarët edhe nga shpronësimi dhe kolonizimi, vrasjet masive, djegia e fshatrave, shpërnguljet me forcë, çarmatosja etj.
Në rrethana të tilla, shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, në shtator të vitit 1913, u detyruan të organizonin kryengritjen e armatosur për të çliruar viset që kishin pushtuar Serbia dhe Mali i Zi. Kjo ishte alternativa e vetme për të treguar edhe njëherë para faktorit ndërkombëtar se çështja shqiptare nuk ishte zgjidhur në mënyrë të arsyeshme. Mirëpo, kjo kryengritje nuk arriti të realizonte qëllimin e saj.
Për sa më sipër, çështja shqiptare në rrjedhat ballkanike të viteve 1912-1913 u përshkua me zhvillime dramatike dhe progresive, të cilat ndikuan në:
Organizimin e një kryengritje të gjerë kundërosmane dhe avancimin e çështjes shqiptare drejt një statusi autonom.
Përshpejtimin e shteteve ballkanike për aktivizimin e Aleancës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane dhe pengimin e krijimit të një Shqipërie autonome ose të pavarur.
Ndryshimin e statusit politik të Shqipërisë dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare në mënyrë jo të drejtë nga Fuqitë e Mëdha.
Ricopëtimin e viseve shqiptare dhe formimin e një shteti shqiptar në kufij etnik mëse të përgjysmuar.
Futjen e Shqipërisë në veçanti dhe të shqiptarëve në përgjithësi përballë sfidave të reja të brendshme, në raport me fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha. /2lonline/