Demaçi: Shqiptarët janë popull i fortë

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se ky 28 nëntor shqiptarët i ka gjetur më mirë se ndonjëherë. Demaçi ka thënë se pas zgjedhjeve të fundit në Shqipëri është çelur një dritë e madhe, një shpresë e madhe, se tashmë Shqipëria do të drejtohet si duhet.

Ai ka thënë se këtë 28 nëntor e ka pritur me një optimizëm më të madh sesa e ka pasur para 5-6 muajve. Demaçi ka thënë se, pavarësisht se shqiptarët kanë humbur shumë luftëra dhe janë shuar shumë kryengritje, ata prapë janë ngritur.

“Kemi humbur shumë luftëra, shumë punë, janë shuar shumë kryengritje, por përsëri janë ngritur shqiptarët, përsëri kanë luftuar për liri, përsëri nuk e kanë harruar vetveten, e ky është një shembull unik në botë që një popull kaq i vogël të bëjë kryengritje kaq të shumta me pushtues shumëfish më të fortë, më të organizuar dhe me më përkrahje sesa ne”, ka thënë Demaçi në një intervistë për “Epokën e re” .

Në këtë intervistë Demaçi ka folur edhe për qeverisjen në Kosovë dhe atë në Shqipëri.
Ai ka deklaruar se qeverisja në Shqipëri ka marrë një rrugë të mbarë. Ekonomia në Shqipëri, sipas tij, është dy hapa para nesh. Kurse, thotë se Kosova në këtë drejtim është më keq për shkak të përzierjeve ndërkombëtare nga jashtë.

“Ne këtu jemi keq për shkak se ka përzierje nga jashtë. Kjo përzierje nga jashtë bëhet t’ia bëjë qejfin Serbisë sepse qarqet evropiane në rend të parë dhe Amerika u ndihmon atyre. Qëllimi është ta tërheqin Serbinë nga ai kompozicioni sllav e rus dhe ta marrin me vete në Bashkimin Evropian, me shpresë se do ta marrin edhe në paktin e NATO-s. Me fjalë të tjera, faturat i paguajmë ne. Neve në fakt na shpërndanë ushtrinë tonë që doli pas kryengritjes. Në vend se të formohej menjëherë ushtria jonë, të armatosej ashtu siç duhej, në mënyrë që Serbia t’i humbte edhe shpresat e fundit që do të mund të rikthejë diçka nga ato ambiciet e veta pushtuese dhe çetnike. Përkundrazi. këta neve na mbajtën pa ushtri, me një polici më shumë të komanduar nga të huajt sesa nga ne, me prokurori e gjyqe të huaja vazhdimisht, me përzierje të ndryshme vazhdimisht, me këto privatizimet me të cilat nuk fitoi asgjë ekonomia shqiptare e Kosovës”, ka thënë Demaçi.

Duke folur për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm, Demaçi është shprehur se në këtë projekt shqiptarët janë vonuar. “Tash bashkim klasik nuk do të ketë, sepse ne jemi popull i vonuar siç ka thënë akademiku ynë i njohur, Rexhep Qosja. Ne nuk e kemi përjetuar as skllavopronarin atëherë kur e kanë përjetuar popujt e tjerë, nuk e kemi përjetuar as feudalizmin kur e kanë përjetuar popujt e tjerë dhe gjithmonë kemi ecur me vonesë”, ka thënë Demaçi, duke shtuar se atmosfera e re e krijuar brenda Evropës dhe qëllimet e saj që të bashkohen popujt e Evropës për të ecur më shpejt përpara e bëjnë të mundur që të bëhet bashkimi i shqiptarëve pa prekur kufijtë, të cilët i frikësojnë ata të cilët janë rrotull nesh.

KOMENTE