/Poezia e para tri viteve, të cilën e lexova në “Takimet e Gjeçovit”…2017/
Ç’ËSHTË ATDHEU
(varianti i datës 30 Kallnor 2008)
Atdheu nuk është faqe interneti
Ku ti hyn përmes një ndezjeje kompjuteri
I paregjistruar
E pa kod mbrojtës
Atdheu ka një pikë ku fillon
Ku mbaron
Ka dhe një rreth me gurë
E me mal
Dhe fusha me lumenj
Atdheu s’futet n’ kutizë
As n’ kornizë
As xhepash se nuk e nxënë
Atdheu shtrihet mëtej një syri të mprehtë
Mëtej një hapi të rreptë
E nuk është pa emër
Pa votër e motër
Dhe pa një pshellak gjaku
Atdheu përndizet
Përmes një qafeje me prush
E njomet me një varg të gjatë krojesh
Ku mbijnë e përjetësohen
Ninulla nënash e një mal baladash
Atdheu shihet nga një Rrasë Zogu
A gur Trolli
Ku vallëzojnë agimët
E iso mbajnë dedë gjon lulët
Dhe të pret në një majë Kaculi
A në një Kodër Tupani
Ku mblidhen e nisen bacë idrizët
Atdheu s’është dhe pa një Plisore
E pa një zot
Të cilit i rrëfehemi
E marrim bekimin e Tij
Atdheu
Eh atdheu është edhe pjesa ku shkelim
Ku shkulim ku herrim
Është edhe pjesa ku mbjellim besimin
Bukën e motmotit
Dhe pjesa ku takohemi ku puthemi
Pjesa ku mbijnë lulet e dashurisë
Ku pa dashje ngriten muret e vetmisë
E prehje gjejnë eshtërat e njerëzisë
Atdhe është edhe pjesa ku mungojmë
E trokasim parreshtur
Në Amën e shkëputur
Ajo preket e shihet
Po nuk arrihet
As shijohet
Pa ia falë Palcën e Gjakut
Palcës së Dheut
Atëherë
Vetëm atëherë krijohet Kodi Mbrojtës
Dhe Liria e plotë
Për të gjallët mbi Dhe
E të shumtët nën Dhe
Sa t’ketë tokë nën Ne
E qiell mbi re
(Fotoja është meritë e Shkëzen Rexhës, të cilin e falënderoj)